E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Kuvend, Rama e përdor për qëllime elektorale

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vendosur që ngjarjen e dy ditëve më parë ta përdorë për qëllime elektorale. Dy ditë pas incidentit të ndodhur në Kuvend, mes Kryeministrit Berisha dhe deputetit socialist Taulant Balla, kryetari i PS-së ka kërkuar që Kryeministri t’i kërkojë falje publike Ballës. “Prita 24 orë për t'i dhënë Kryeministrit Sali Berisha kohën e nevojshme për të mbledhur forcat e për të gjetur kurajën që t'u thotë jo thjesht deputetit Taulant Balla e familjes së tij, as edhe thjesht deputetëve socialistë dhe atyre që i kanë zgjedhur, po të gjithëve pa përjashtim, qytetarëve shqiptarë, pa dallim përkatësish e simpatish politike, se është penduar për atë shfaqje monstruoze që ka skandalizuar e shqetësuar çdo shqiptar, të madh e të vogël, prindër e fëmijë”, - tha Rama. Nga ana tjetër, duket se kreu i opozitës ka vendosur që ta përdorë ngjarjen për qëllime elektorale duke u kërkuar shqiptarëve që një ngjarje të tillë ta mbajnë mend para se të votojnë. Njëkohësisht, Rama ka gjetur rastin që të justifikojë qëndrimin e tij lidhur me këtë ngjarje. “Të nesërmen nuk ishte dita për të bërë replikën bajate të radhës dhe aq më pak për të kërcitur dhëmbët duke iu përgjigjur vulgaritetit qeveritar me vulgaritet opozitar, po dita për t'u lënë të gjithë shqiptarëve mundësinë të njiheshin me dëshminë rrëqethëse dhe të dëgjonin dëshmitarët, në emër të të cilëve foli dje kryetarja e grupit socialist”, - tha kreu i PS-së. Dy ditë më parë në mbledhjen e grupit socialist, Rama kërkoi që grupi i PS-së të mos përgjigjej me radikalizëm ndaj kësaj ngjarjeje, por të shfrytëzohej për qëllime elektorale. “Sa më i madh të jetë kontrasti mes nesh, aq më mirë është për PS-në”, - është shprehur Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›