E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: Rrugaçëria, politika e re e Edi Ramës



Bogdani: Rama, organizator i akteve të ulëta

“Rrugaçët e Ramës shpifin dhe trillojnë”

Demokratët kritikojnë politikën e re të Edi Rëmës, e cila sipas PD-së, ka në themel sharjet dhe rrugaçërinë, e cila tashmë ka depërtuar deri në institucionin e Kuvendit. Zëdhënësi i PD-së, Gerti Bogdani, akuzoi dje z.Rama si organizator të akteve të ulëta dhe rrugaçeske në sallën e Kuvendit. Në kushte të tilla PD-ja kërkon nga kryesocialisti Edi Rama distancimin nga gjeste të tilla duke i vënë në dukje faktin se ai është një politikan i dështuar. “Edi Rama hoqi maskën dhe dëshmoi se është ai organizatori i akteve të ulëta, provokuese dhe rrugaçeske në Parlament; se është ai që komandon dy rrugaçë, të cilët në çdo seancë shpifin dhe trillojnë ndaj zyrtarëve dhe personaliteteve të vendit duke dëshmuar edhe një herë se çfarë përfaqëson realisht z. Rama”, - tha z.Bogdani. Zëdhënësi i Partisë Demokratike denoncoi gjuhën që përdor Rama dhe vartësit e tij duke tentuar përmes saj, rrëmujë dhe përshtjellim përmes shpifjeve dhe trillimeve pa fund. “Partia Demokratike, - vijoi Bogdani, - e ka pasur dhe e ka të qartë se Erion Braçe dhe Taulant Balla, si sharës profesionistë, janë gjuha e Edi Ramës dhe përfaqësojnë politikën e tij të re, që nuk vlen më shumë se boritë, bilbilat dhe koprolalitë e tyre në parlament”. “Por shqiptarët e kanë të qartë tashmë se Rama, nuk është vetëm një arkitekt i dështuar i politikës së tij të re, por edhe autor mediokër i fjalorit më të ndyrë të politikës së shpifjeve”, - u shpreh z.Gerti Bogdani. Për shkak të incidentit të ditës së hënë në Parlament, Byroja e Parlamentit pezulloi për dy javë deputetin socialist, Taulant Balla. Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, propozoi pezullimin e deputetit socialist Taulant Balla, vendim i cili u pranua dhe nga anëtarët e tjerë pjesëmarrës në këtë mbledhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›