PSD, bojkot Kuvendit për Ballën
Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit do të bojkotojë Kuvendin për shkak të incidentit të ndodhur në Kuvend mes Kryeministrit dhe deputetit socialist, Taulant Balla. Deputetja e kësaj partie, Diana Çuli, tha dje se grupi parlamentar i Partisë Socialdemokrate denoncon me forcë situatën në të cilën ka degraduar Kuvendi i Shqipërisë. “Kjo situatë shkaktohet edhe nga toleranca e pajustifikuar që i kërkohet gjithnjë opozitës, në vend që shoqëria dhe të gjitha segmentet e saj duhet të presin nga opozita mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, të përfaqësuesve të popullit në Parlament, të votës që ky popull ka dhënë. Kjo opozitë duhet të rikthejë dinjitetin e cenuar, jo në emër të vetes, por në respektim të votës së qytetarëve”, - tha Çuli, duke shtuar se grupi i PSD-së do të bojkotojë sot seancën e Kuvendit deri në një rakordim të ri me PS-në dhe partitë e tjera të opozitës.