E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta, Ramës: Ndërprit çdo lloj komunikimi me Berishën



Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje dje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të ndërpresë çdo lloj komunikimi me mazhorancën dhe të riaktivizojë kërkesën për mocion ndaj Topallit. “LSI-ja fton opozitën dhe aktorët e tjerë të përgjegjshëm politikë në Kuvend, që të ndërpresin dialogun politik me njeriun që fatkeqësisht është ende Kryeministër i Shqipërisë derisa ai të kërkojë ndjesë publike ndaj deputetit Balla, ndaj Kuvendit dhe ndaj të gjithë opinionit publik”, - tha Meta. Sipas tij, nuk ka ndonjë rast më flagrant sesa ngjarja që ka ndodhur në Kuvend “ku Kryetarja e Kuvendit në vend që t’i qetësonte gjakrat, përkundrazi, i fryu edhe më tej zjarrit, dhe njëkohësisht, kur Kryetarja e Kuvendit mban qëndrim ndaj një deputeti dhe nuk mban asnjë lloj qëndrimi ndaj Kryeministrit, por përkundrazi, bëhet ortake në atë dhunim verbal dhe politik që ndodhi në Kuvend, i cili mund të degradonte edhe në dhunime fizike”. Njëkohësisht, Meta e sheh si të paprecedent edhe vendimin e Byrosë Parlamentare për përjashtimin nga Kuvendi për dy javë të deputetit të PS-së, Taulant Balla, duke e konsideruar si një tjetër arsye për të cilën Kryetarja e Kuvendit meriton mocionin. “Po kështu, vendimi i Byrosë së Parlamentit në drejtimin e znj. Topalli, është i padrejtë dhe krejtësisht i njëanshëm, pasi merr një masë ndëshkuese ndaj deputetit Balla, por nuk merr asnjë masë dhe asnjë qëndrim ndaj deputetit Sali Berisha, i cili jo për herë të parë i fyen të gjithë deputetët e opozitës që guxojnë të ngrenë probleme, të godasin korrupsionin e tij dhe të qeverisë së tij dhe nuk lë asnjë fshat të Shqipërisë pa përmendur për të denigruar figurat e opozitës”, - tha kreu i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›