Roberto Carlos: Anzhi, sikur Barça e Reali

Trajner-lojtari i klubit rus i ka treguar objektivat që ka dhe për nivelin të cilin synon ta arrijë ekipi nga vendi i Ish Bashkimit Sovjetik.
“Dëshirojmë ta ndërtojmë një skuadër të madhe, të nivelit të barabartë me Barcelonën dhe Real Madridin”, deklaroi mbrojtësi i majtë brazilian, i cili përkohësisht po e kryen edhe funksionin e trajnerit.
Ai nuk dëshiron të flasë për trajnerët e mundshëm që mund të arrijnë tek Anzhi, por nuk e ka problem të flasë për lojtarët të cilët i interesojnë këtij ekipi.
“Anelka nuk është lojtari i vetëm që na intereson. Anzhi pëlqen edhe Nenen e PSG-së dhe Van Persien e Arsenalit. Po ashtu, kam biseduar edhe me Neymarin e Santosit. Presidenti ynë, Kerimov, mund ta blejë çfarëdo lojtari”, shtoi ish përfaqësuesi brazilian.
Gjatë verës, Anzhi bëri ‘boom’ duke e transferuar sulmuesin e Interit, Samuel Eto’o, i cili do të paguhet nga 20 milionë euro në vit, për një kontratë trevjeçare.
Ndërkohë, tabloidi britanik ‘The Sun’ shkruan se edhe mbrojtësi i majtë i Chelseas, Ashley Cole, është bërë objektiv i Anzhit.