E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria kërkon miratimin sa më shpejt të Gjykatës Administrative

29/12/2008  Letër zyrtare për kreun e opozitës dhe Kryeministrin

Konfindustria, me cilësinë e institucionit nismëtar të krijimit të Gjykatës Administrative, ka kërkuar me letër zyrtare nga Kryeministri i Shqipërisë z. Sali Berisha dhe kreu i Partisë Socialiste z. Edi Rama për ndërhyrjen e tyre institucionale dhe politike për miratimin sa më të shpejtë dhe me konsensus të projektligjit për Gjykatën Administrative, që tashmë ndodhet në Kuvendin e Shqipërisë. Hapi i mësipërm vjen pasi Konfindustria shprehu qëndrimin e saj për krijimin sa më të shpejtë të Gjykatës Administrative të pavarur nga ekzekutivi si domosdoshmëri për industritë shqiptare në veçanti edhe në seancën dëgjimore të zhvilluar me Komisionin e Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë disa ditë më parë, duke vlerësuar njëkohësisht projektligjin përkatës të paraqitur nga Këshilli Ministrave. “Duke pasur parasysh nevojën e fillimit sa më të shpejtë të punës së Gjykatës Administrative, domosdoshmërinë e miratimit me 3/5 të votave ku pesha e opozitës është vendimtare si dhe vlerësimin për përmbajtjen e PL të paraqitur në Kuvend nga Këshilli i Ministrave, Konfindustria kërkoi para kreut të pozitës dhe opozitës shqiptare, veçimin e PL për Gjykatën Administrative nga Paketa Ligjore për Drejtësinë dhe aktet e tjera ligjore të debatuara politikisht dhe miratimin në një kohë sa më të shpejtë me konsensus nga pozita dhe opozita nga Kuvendi i Shqipërisë të PL përkatës”, thekson letra e Konfindustrisë. Sipas administratorit të përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, është krejt i papranueshëm fakti që Shqipëria radhitet vendi i fundit edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor për mungesën e institucionit të Gjykatës Administrative pa përmendur vendet demokratike të BE-së. Mungesa e Gjykatës Administrative në sistemin e drejtësisë godet rëndë psikologjikisht dhe realisht jo vetëm industritë vendore, por dhe qytetarët, që përballen çdo ditë me aktet administrative të institucioneve shtetërore. “Konfindustria vlerëson se Gjykata Administrative është domosdoshmëri për më shumë në kushtet e krizës globale ekonomike dhe financiare me pasoja të pashmangshme edhe në vendin tonë ku pjesa më e prekur janë industritë shqiptare dhe në kushtet kur ligji i ashtuquajtur i “gjobave” është në fuqi. Në pamundësi objektive për të ndërtuar paketa financiare sikurse vendet e pasura dhe të zhvilluara të botës për përballimin e pasojave të krizës globale, vendimmarrja politike mund dhe duhet të paktën të përmirësoj me vepra dhe jo vetëm me fjalë klimën e mirëbesimit ndërmjet biznesit dhe shtetit, kusht shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në letrën e Konfindustrisë.

Angazhimi

Konfindustria në fillimin e nismës së saj përpara 1 viti e gjysmë për krijimin e Gjykatës Administrative kërkoi zyrtarisht dhe njëkohësisht siguroi vullnetin e plotë të krerëve të shumicës dhe pakicës parlamentare për të mbështetur nismën në fjalë. Konfindustria, gjithashtu ka ndjekur nga afër gjithë procesin përkatës të formulimit të draftit ligjor përkatës nga Ministria e Drejtësisë dhe grupi i ekspertëve vendorë dhe të huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›