Pyetësori i BE, përgjigje në shkurt
BLEDAR HOTI
Kryeministri Sali Berisha shpall si objektiv të Qeverisë dhënien e përgjigjeve të pyetësorit prej 4 mijë pyetjesh brenda shkurtit të vitit 2010. Një objektiv i tillë u bë prezent në mbledhjen jashtë radhe të qeverisë e cila kishte në axhendën kryesore pyetësorin që pritet të vijë në Tiranë nga BE-ja brenda gjysmës së dhjetorit. “Administrata duhet të dorëzojë brenda shkurtit përgjigjet e pyetësorit. Ne duhet të angazhohemi maksimalisht këtë proces”, deklaroi Berisha. Kryeministri duke e vlerësuar vendimin e marrë nga Këshilli i Ministrave të Jashtëm BE-së, ftoi sërish opozitën që të jetë pjesë e këtij procesi. “Gëzohem që sot kryetari i PS-së e përshëndeti këtë vendim. I ofroj dhe njëherë të gjithë disponibilitetin dhe gatishmërinë time dhe të mbarë qeverisë për bashkëpunim të ngushtë me opozitën, por më duhet t’i them se nuk duhet të ketë dy vendime për gjërat themelore. Ata që votuan dje për të pranuar kërkesën, ata pritën derisa mbaruam zgjedhjet. Pra, zoti Rama nuk është në radhë të parë në interesin e tij, por as të forcës politike, as të opozitës që të bëjë një lexim tjetër nga ky lexim që i bëhet zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe votës së lirë nga 27 vende anëtare të BE. Dhe fatmirësisht këto zgjedhje ndodhen në momentin e vendimmarrjes, nuk është se kanë ndodhur dy vjet më parë e po harrohen. Këto zgjedhje ndodhën në mes të procesit të vendimmarrjes”, deklaroi Berisha. Sipas tij, në rast se reforma zgjedhore dhe zgjedhjet kanë pasur një rol përcaktues, e një rëndësie të jashtëzakonshme ka qenë lufta me zero tolerancë ndaj kriminalitetit, lufta ndaj korrupsionit, reformat e thella të tregut, privatizimet e mëdha, të gjitha këto së bashku kanë bërë që Shqipëria të vlerësohet e përshtatshme për të nisur konsultimet në procesin e integrimit të saj të plotë në BE. ”Ky vendim përfaqëson vendimin më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë për Shqipërinë në kryeqytetin e BE, por dhe në Evropën në tërësi. Është një vendim që vendet anëtare të BE nëpërmjet Ministrave të Jashtëm shprehin qartë vullnetin për t’i dhënë dritën jeshile Shqipërisë që ajo të ecë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Komuniteti ndërkombëtar na dha ne një besim në paradhënie me anëtarësimin në NATO. Ata krijuan besimin e plotë tek përkushtimi ynë dhe ne për këtë besim bëmë çdo gjë, bashkëpunuam ngushtë me opozitën. Nuk di ndonjë vend tjetër i cili t’i ketë lënë partisë kryesore opozitare përcaktimin e sistemit zgjedhor apo përcaktimin e kodit zgjedhor nen për nen. U angazhuam me teknologjitë më të larta dhe i dhamë vendit zgjedhje të lira e të ndershme; zgjedhje që plotësuan kërkesat kryesore të OSBE” tha Berisha. Më pas në mbledhje e ka marrë fjalën zëvendësministrja e Integrimit, Jorida Tabaku, e cila ka bërë prezent masat që janë ndërmarrë për angazhimin e administratës në dhënien e pyetësorit. Sipas saj janë rreth 4500 pyetje dhe se janë ngritur 33 grupe pune në të cilën do të punojnë për dhënien e përgjigjeve. Ndërsa grupe të veçanta pune janë përfshirë për kriterin politik dhe ekonomik. Ministria e Integrimit ka ngritur një Task-Force, si dhe është ka përgatitur listën me angazhimin e 111 punonjësve në këtë proces, por që ky numër, sipas Tabakut, mund të shkojë në 800 persona. Ndërsa Kryeministri Berisha bëri të ditur se për institucionet e pavarura, do të jetë zëvendëskryeministri Ilir Meta që do të merret me një proces të tillë.