E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mrekullitë e Jonit, tani për 5 orë nga Tirana në Sarandë

Rruga e Rivierës, ose rruga e diellit që përshkon krejt fshatrat e Bregut, nga Vlora në Sarandë tashmë është gati, e zgjeruar dhe e shtruar me asfalt, për të pritur mijërat e turistëve vendas e të huaj, që do të vërshojnë këtë sezon veror në plazhet e mrekullueshme të Jonit të kaltërt


Rruga e Rivierës, ose rruga e diellit që përshkon krejt fshatrat e Bregut, nga Vlora në Sarandë tashmë është gati, e zgjeruar dhe e shtruar me asfalt, për të pritur mijërat e turistëve vendas e të huaj, që do të vërshojnë këtë sezon veror në plazhet e mrekullueshme të Jonit të kaltërt. Këto ditë të para të qershorit, ndërsa u nisëm nga Tirana në një mot me vranësira dhe me shi, në më pak se dy orë mbërritëm në Vlorë, duke përshkruar deri në Fier autostradën e sapo përfunduar. Mbi bregdetin e Radhimës, mbi Karaburun dhe më tej në ishullin e Sazanit rrezet e diellit të ngrohtë, binin mbi kaltërsinë e kthjellët të detit. Në krejt këtë zonë  deri në Sarandë, ditët me diell janë rreth 300 në vit. Mbas Llogorasë deri në Dhërmi ku rruga përfundoi gjatë vitit të kaluar, një mrekulli  tjetër të shfaqet. Rruga me dy kalime megjithëse në një terren shkëmbor tepër të vështirë,  ka përfunduar dhe është e shtruar e tëra me asfalt deri në Himarë, ku disa firma po punonin në unazën e qytetit bregdetar për ta përfunduar brenda këtij muaji. Mbas Himarës krejt rruga deri në Sarandë, që përshkon disa fshatra të mrekullueshme turistike si Qeparo, Borsh, Lukovë, është komplet e asfaltuar dhe e zgjeruar në pjesën kryesore të saj, duke bërë të mundur që aksi Vlorë- Sarandë prej 171 km të përshkohet nga automjetet për 2 orë e 30 minuta. Ndërsa nga Tirana në Sarandë tashmë krejt ky aks i rëndësishëm përshkohet për 5 orë, kur përpara dy-tre vitesh duheshin rreth 10 orë të mundimshme.      


Banorët e Bregut nxitojnë të përgatisin vilat dhe hotelet për turistët


Lajmi i shtrimit me asfalt të rrugës së Rivierës, ka mbërritur edhe në Greqi, ku punojnë emigrantë të shumtë të kësaj zone. Në Himarë takuam disa prej tyre. Paksi Nerenxi që ka ndërtuar së bashku me djemtë e tij një vilë në Spille, afër molit  kishte mbërritur para dy ditësh nga Greqia, për të sistemuar dhomat dhe ambientet e tjera. "Këtë sezon turistët e parë pritet të vijnë më shpejt, sepse rruga tashmë ka përfunduar. Presim jo vetëm turistë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit, por dhe nga Kosova dhe Maqedonia", thotë Paksi. "Vjet kur u larguam në fillim të shtatorit, as na shkonte në mënd që kjo rrugë e vështirë mes maleve dhe me kthesa të vështira të përfundonte kaq shpejt", shprehet ai. Përfundimi i autostradës së veriut, do të gërshetohet me aksin e Rivierës dhe pa dyshim do të sjellë më shumë turistë në brigjet e Jonit. Në fakt plazhet e Himarës, të Dhërmiut, Qeparoit dhe Borshit, që përbëjnë perlën e Jonit, deri më sot janë shfrytëzuar shumë pak, për shkak të rrugës së vështirë. Vetëm në pikun e sezonit 15 korrik-15 gusht, këto plazhe mbusheshin plot, ndërsa në periudhën tjetër mbretëronte qetësia, megjithëse natyra, moti dhe deti i pastër, ndër më të pastrit në Mesdhe, ishin gjithnjë të favorshme për të pritur në çdo moment mijëra turistë. Thomai një banor mbi 80 vjeçar, që çdo mëngjes nxjerr barkën e tij të vogël për peshkim, në gjirin e Himarës, thotë se këtu mund të fillojë turizmi, sapo përfundon muaji shkurt deri në nëntor dhe rruga e re pritet të zhvillojë më shumë zonën. Tashmë nëpërmjet rrugës edhe banorët vendas do të kenë mundësi të transportojnë më lehtësisht materialet e ndërtimit për të riparuar banesat e vjetra qindra vjeçare prej guri. Vasil Rrapo sapo ka përfunduar hotelin e tij  të ri modest në hyrje të Himarës nga ana lindore e qytetit. Ka punuar së bashku me të shoqen dhe fëmijët në Greqi  dhe me fitimet e kursyera ka arritur të ndërtojë këtë hotel dy katësh, mbi themelet e godinës së vjetër, pronë e prindërve të tij. Hoteli me 6 dhoma, tre prej të  cilave edhe me kushte për gatim, ka një pamje të mrekullueshme përballë detit. Dhomat janë me orendi krejt të reja dhe me kondicionerë. “Më ka kushtuar shumë- thotë Vasili- mbi të gjitha transporti i materialeve nëpër këto rrugë të vështira, por tani që rruga u bë, do ta kem më të lehtë për të ndërtuar edhe një kat tjetër komod për pushuesit". Ndërkohë kodra sipër qytetit, apo siç quhet Himara fshat, ku  ndodhen pjesa kryesore e shtëpive të banorëve, që deri tani në pjesën dërmuese kanë qenë të braktisura prej 19 vitesh për shkak të largimit masiv të të rinjve për të punuar në Greqi, kishte filluar të gjallërohej. Vila të reja kanë filluar të ndërtohen, në faqet e kësaj kodre, të mbushur me ullishta dhe agrume. Pamja nga këto vila është magjepsëse, se dritaret vështrojnë të gjitha nga Joni. "Tani që rruga përfundoi, do ta kemi më të lehtë për të shpejtuar punimet në banesat tona", thotë Jani, që ka punuar 14 vite në Korfuz në baret dhe restorantet greke. Shumica e pushuesve që vijnë në Himarë, thotë ai, zbarkojnë në godinat dhe hotelet në breg të detit dhe nuk e njohin këtë zonë sipër tyre, që është akoma më e bukur, sepse këtu ndihet jo vetëm era e detit, por dhe e malit, këtu pushuesit gjejnë edhe prodhimet tradicionale të freskëta bujqësore, gjejnë jo vetëm peshkun, por dhe mishin, perimet bio, mjaltin, vajin e ullirit dhe agrumet. "Rruga-thotë ai i ka penguar deri tani të vijnë këtu turistët, por vilat e reja që kemi filluar të ndërtojmë, do ti bëjnë shumë shpejt konkurrencë, hoteleve poshtë nesh".              


Kompania që ka marrë përsipër akset më të vështira të Rivierës


Në këtë rrugë që sapo ka përfunduar, me përjashtim të unazës së Himarës, që pritet të përfundojë brenda muajit qershor, kompania "TRISS" ka marrë përsipër akset më të vështira dhe banorët, shprehen se pa punën e specialistëve, inxhinierëve dhe punëtorëve të saj, ishte e vështirë përfundimi në kohë i kësaj vepre të re infrastrukturore që i shtohet vendit. Në këtë rrugë janë zbatuar 10 kontrata (lote). Gjatësia totale e saj është 70,125 km dhe vlera e ndërtimit llogaritet 43 milionë euro. TRISS ka mobilizuar në kantier makineritë moderne për të përfunduar unazën e Himarës. Inxhinieri nga Tirana i kësaj firme Ilir Murthi, thotë se punohet natën dhe ditën, që ky aks të përfundojë pa u afruar dyndja e turistëve, që tashmë e kanë marrë vesh se rruga në krejt gjatësinë e saj ka përfunduar. “Është një teren mjaft i vështirë-thotë Iliri- këtu nuk ka është vënë dorë asnjëherë prej mbi disa dekadash dhe po punohet që krahas rrugës, të ketë edhe trotuare si dhe të shtrohet në breg të detit një shëtitore e ndriçuar që  lidh lagjet e qytetit bregdetar". Por dhe projektet e ndërtimit të ujësjellësave në fshatrat Dhërmi e Vuno, respektivisht 50 dhe 60 km në jug të Vlorës, të financuara nga Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore, janë në fazën përfundimtare të punimeve dhe këtë sezon do të vihen në funksionim. F.Marko, drejtues i punimeve, thotë "ritmet e punës janë të larta dhe garantojnë përfundimin e projekteve, me qëllim garantimin e furnizimit me ujë të pijshëm për 24 orë në fshatrat Dhërmi e Vuno, duke zgjidhur një problem të vjetër të komunitetit të këtyre fshatrave. Përveç projekteve të mësipërme, në to përfshihen ndërtimi i rrugëve të daljeve në det në fshatrat Ilias e Qeparo, rikonstruksioni i qendrës së fshatit Dhërmi, ndërtimi e sistemimi i rrjetit të ujësjellës- kanalizimeve në Himarën e Vjetër, etj. Edhe në projektet e tjera, punimet janë në një fazë të avancuar dhe pritet të finalizohen brenda pak javësh, gjë që do të shoqërohet me përmirësimin e ndjeshëm të standardeve të infrastrukturës rrugore dhe do të sigurohet komunikimi me bregun e detit. Ndërsa pimë një kafe në lokalet e Himarës pasdite vonë, kur dielli në perëndim duket sikur zhytet në detin e kaltër të Jonit, në portin e vogël krahas peshkarexhave ankorohen edhe jahte me turistë, që japin të parët sinjalin e një bumi turistik këtë vit në krejt Rivierën.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›