Topalli: Mbajtëm premtimet, pas 120 orësh anëtarësohemi në NATO
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli tha dje gjatë takimeve në Milot e Mamurras, se qeveria e koalicionit të djathtë mbajti premtimet e dhëna para zgjedhjeve të 3 korrikut. Realizimi i reformave të rëndësishme për vendin, sipas kryeparlamentares bënë të mundur anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë. “Kanë mbetur më pak se 5 ditë më pak se 120 orë, nga momenti kur Shqipëria do të jetë në Strasburg Kehln, si anëtare me të drejta të plota të Aleancës më të madhe për të gjithë kohërat e lirisë. Nuk ka ngjarje më të rëndësishme për të gjitha kombet që bëhen anëtare të kësaj aleance”, u shpreh Topalli. Gjatë këtyre takimeve, Kryetarja e Kuvendit, sulmoi ashpër opozitën, e cila sipas saj nuk ka pranuar asnjëherë ndryshimet që janë bërë në këtë vend. Madje sipas Topallit, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama është e vetmja krizë e këtij vendi. “Opozita është kthyer në një kor korbash, që çdo ditë kërkon të ndjellë katastrofë, që çdo ditë refuzon të shohë realitetin, ndryshimet, që nuk pranon transformimet e jashtëzakonshme. Në Shqipëri ka vetëm një krizë, dhe ky është Edi Rama. Kjo është kriza e vetme që ka sot në vend, megjithatë Shqipëria vazhdon të ecë përpara, nuk ka kthim mbrapa, siç e dëshiron Edi Rama”, theksoi kreu i Kuvendit. Duke vënë theksin te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Topalli tha se qeveria mbajti premtimet e para 4 viteve edhe për sa i përket uljes së taksave, si dhe rritjes së pagave dhe pensioneve. “Unë jam e bindur se shqiptarët dinë të vlerësojnë. Ne premtuam rritjen ekonomike dhe mbajtëm premtimin, ne premtuam integrimin e Shqipërisë dhe bëmë anëtarësimin dhe integrimin e Shqipërisë në NATO’, theksoi më tej Topalli.