KE, Lohan: Vendi i opozitës, në Parlament
KE-ja beson se Shqipëria ka një shans realist, të vërtetë për të marrë liberalizimin e vizave gjatë mesit të vitit të ardhshëm, por opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë në këtë proces jetik për vendin. Sipas ambasadorit të KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan, heqja e vizave është një mundësi realiste, por pak më pak se siguria e vërtetë, por është shumë më shumë sesa thjesht do të ndodhë. Këtë deklaratë diplomati perëndimor e mbështet mbi bazën e informacionit që ai ka pasur mundësinë që ta testojë, madje personalisht p.sh. për përdorimin e teknologjisë së informacionit në kufij, gjithashtu edhe për informacione që i dinë të gjithë, si p.sh. ecuria e madhe që është bërë në fushën e prodhimit dhe sigurisë së dokumenteve si dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike. Ajo që besoj, është se ecuria po bëhet në këto momente në ato fusha që kanë të bëjnë dhe kushtet e BE-së. Gjatë emisionit “Studio e hapur” në TV Alsat, z. Lohan vuri në dukje se “qeveria shqiptare sapo i ka dërguar raportin e gatishmërisë Komisionit Evropian dhe kolegët tanë po e analizojnë atë dhe një mision ekspertësh mund të vijë në Shqipëri para fundit të këtij viti që të verifikojë gjendjen aktuale në Shqipëri e sidomos në fushën e sigurisë së dokumenteve”. “E kështu mund të themi që ka vërtet një shans realist që këto kushte mund të përmbushen”, - deklaroi ai. Ambasadori i KE-së në Tiranë përmendi dhe një mision të parë që vjen në fund të këtij viti, por do të ketë të tjera që do ta pasojnë atë vitin që vjen. Sipas tij, Komisioni pastaj do të arrijë në përfundimet e veta në bazë të konkluzioneve që kanë arritur këta ekspertë, pastaj mund të bëjë propozimin për liberalizimin e vizave në gjysmën e parë të vitit që vjen. “Unë e kuptoj që ju insistoni për datat dhe data e vitit që vjen, është goxha e saktë. Nuk mendoj se ka arsye që ne të vazhdojmë të themi për datën 24 prill apo 17 qershor a shtator apo ndonjë datë tjetër, gjëja e rëndësishme është se procesi po vazhdon me shpejtësi relativisht të shpejtë, por sërish ky proces mund të përfundojë vetëm vitin që vjen në qoftë se Shqipëria i përmbush ato kërkesa. Pra, kemi një proces që është transparent, objektiv, teknik, por nga ana e Komisionit Evropian ne nuk i kontrollojmë dot rezultatet, pasi ato janë në dorë të Shqipërisë, nëse ajo arrin që t'i plotësojë ato Shqipëria nëse do të na ndihmojë ne do të ndihmojë qytetarët shqiptarë”, - tha z. Helmuth Lohan. Kurse, pyetjes nëse gjithçka shkon mirë për ne shqiptarët, nëse Komisioni Evropian vendos për liberalizimin, kur do të fillonim ne realisht të lëviznim pa viza, ai iu përgjigj: “Nuk mund të parashikoj sot se sa do të duhet nga propozimi deri në marrjen e vendimit. Vendimi do të merret së bashku me Këshillin e Ministrave dhe Parlamentin Evropian, sepse sipas Traktatit të Lisbonës që hyn në fuqi së shpejti, Parlamenti Evropian ka fuqi bashkëvendimmarrëse dhe kjo do të bëjë një përshpejtim të këtij procesi edhe sipas raportit Fajon”. Për sa i përket bojkotit të opozitës dhe anashkalimit të sugjerimeve të ndërkombëtarëve për t’u kthyer në Kuvend, Lohan pohoi: “Nuk është se jam një nga pikat e referimit që duhet të kalohem nga forcat politike ose nga opozita, por siç e thashë edhe më parë, politikanët në përgjithësi duhet të vënë në zbatim strategjitë e tyre duke marrë përgjegjësi për interesin më të mirë të mundshëm të vendit të tyre dhe nuk kam dyshim që atë po përpiqen të bëjnë këtë”. Ndërsa protestat në rrugë të opozitës ai i komentoi: “Sigurisht manifestimet janë një nga shprehjet e vullnetit të popullit, por ato duhet të jenë paqësore dhe duhet të respektojnë parametrat që janë të përcaktuar në ligj”. Ai shton më tej: “Ne nuk jemi arbitër. Komisioni Evropian nuk ka për qëllim të jetë arbitër. Mesazhi ynë është që një nga kriteret thelbësore për anëtarësim në BE është stabiliteti i demokracisë në vend. Stabiliteti i demokracisë duhet të mbështetet në një parlament funksional dhe parlamenti funksional duhet të mbështetet në praninë e deputetëve të zgjedhur dhe nga ky parim mund t’i kthehemi sërish diskutimit që e kemi bërë më parë në lidhje me reformat që duhet të miratohen, përmirësime që duhen bërë në Kodin Zgjedhor, sugjerime që janë bërë në raportin e OSBE-ODIHR-it. Pra, të gjitha këto çështje duhet të trajtohen vetëm brenda Parlamentit dhe jo jashtë tij”.