KE: Në dhjetor procedurat për përgatitjen e opinionit
Komisioni Evropian do të fillojë menjëherë procedurat për përgatitjen e opinionit për Shqipërinë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të BE-së për pranimin e kërkesës së Shqipërisë. Në një deklaratë zyrtare, zyra e Komisionit Evropian në Tiranë shprehet se më se 2 mijë pyetje do t’i dërgohen qeverisë shqiptare për të përmbushur kriteret e anëtarësimit. “Komisioni Evropian mirëpriti vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe do të fillojë menjëherë procedurat për përgatitjen e opinionit. Ky proces do të bëhet në bazë të përgjigjeve që qeveria shqiptare do t'i japë një pyetësori prej më shumë se 2000 pyetjesh për aftësinë e vendit aplikues për të përmbushur kriteret e anëtarësimit të Kopenhagenit”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Në të njëjtin njoftim thuhet se konkluzioni i miratuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian risolli në vëmendje konsensusin e rikonfirmuar për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, siç edhe u shpreh në konkluzionet e Këshillit Evropian në vitin 2006. “Në të nënvizohet edhe një herë se përparimi i secilit vend drejt Bashkimit Evropian varet nga përpjekjet individuale për të plotësuar kriterin e Kopenhagenit dhe kushtet e procesit të Stabilizim-Asociimit. Shqipëria paraqiti aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 28 prill 2009”, - thotë njoftimi. Komisioni Evropian vëren më tej se në bazë të rekomandimit të Komisionit Evropian, Këshilli i Bashkimit Evropian do të vendosë nëse do t'i japë apo jo statusin e kandidatit vendit aplikues. “Në raportin e progresit më të fundit të Komisionit Evropian nënvizohet se Shqipëria vazhdon të përparojë për sa i përket kriterit politik sipas partneritetit evropian dhe se ajo ka vënë në zbatim si duhet Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Vendi duhet të ecë përpara, në veçanti për sa i përket vendosjes së shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, si edhe funksionimit siç duhet të institucioneve shtetërore, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit. Kapacitetet administrative dhe zbatuese duhet të forcohen më tej”, - nënvizoi Komisioni Evropian për Shqipërinë.