E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Shqipëria nuk ka bërë sa duhet për të luftuar korrupsionin

Nga Lindita Arapi, “Deutsche Welle”

Në raportin vjetor të ecurisë demokratike të Shqipërisë KE thekson se “Shqipëria nuk ka bërë aq sa duhet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Përveç disa progreseve, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet sfida më e madhe. KE konstaton se në Shqipëri mungon një strategji shumëplanëshe e luftës kundër korrupsionit, i cili mbetet “një nga problemet më serioze dhe më i shtriri.”

Një vend të posaçëm raporti i kushton luftës kundër korrupsionit në sistemin e gjyqësorit. “Shqipëria ka mungesë të një infrastrukture gjyqësore dhe të një reformë strategjike për sistemin e drejtësisë. Ajo ka nevojë të ndërmarrë përpjekje të mëdha për të vendosur një shërbim civil të pavarur dhe eficient.”

Progres i kufizuar

Krahas këtyre konstatimeve frenuese të ecurisë demokratike gjatë vitit 2008, KE konstaton edhe progresin në fusha të caktuara. “Ka një progres të kufizuar në parandalimin e pastrimit të parave dhe në luftën kundër trafikut të drogës”, - shkruhet në raport. “Shqipëria ka bërë gjithashtu progres në legjislacion, në polici me standardet evropiane dhe në implementimin e marrëveshjes Interim, sidoqoftë në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë vendi ka bërë një progres “jo të barabartë”, gjë që kërkon një përmirësim tërësor”, - thekson raporti i KE për progresin demokratik të Shqipërisë në 2008.

Liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe BE është një çështje tjetër që preket në këtë raport. “Shqipëria po merr pjesë në dialogun mbi liberalizimin e regjimit të vizave, por ajo ende nuk ka arritur standardet e Bashkimit Evropian lidhur me ndryshimin e regjimit të vizave. BE i rekomandon Shqipërisë të fillojë shpërndarjen e pasaportave biometrike”, - shkruhet në raport.

Komisioni Evropian evidenton progresin e Shqipërisë edhe në demokratizimin e shoqërisë dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, por kritikon mungesën e dialogut mes partive politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›