Pollo rizgjon debatin në PD
Rikthimi i Genc Pollos në Partinë Demokratike ka zgjuar më shumë debatin rreth vlerave konkurruese në PD dhe ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e marrjes prej tij të posteve kyçe në PD vetëm për shkak të shkrirjes së PDR. Debati i parë që ka zgjuar kthimi i tij ka të bëjë me faktin se gjesti i Pollos nuk përbën ndonjë vlerë elektorale. Sipas arsyetimit që bëjnë disa prej zërave autoritarë brenda PD, Pollo ka qenë pjesë e koalicionit dhe nuk përbën risi për fushatën e ardhshme elektorale fakti që ai tani është pjesë e PD.
E reja e vetme, sipas tyre, mund të ketë të bëjë me mundësinë e vendosjes së rregullave të reja për një garë reale për postet politike brenda partisë. Debati deri tani ka qenë i bllokuar, për shkak të një distance reale që ekipi drejtues i qeverisë krijoi me selinë e PD dhe kyçjen faktike të saj. Mundësitë për karrierë politike në PD këto tri vite kanë qenë zero. PD u kthye papritur nga një Parti, në një Ndërtesë, dhe figurat politike u zëvendësuan me dezhurnë dhe figurina qesharake, të cilëve iu është deleguar një pushtet i madh, vetëm që pushtetin real të mos e prekin ata që duan të bëjnë karrierë politike. Kjo ka zhgënjyer shumë figura të afruara te PD me shpresë se do të ingranoheshin në jetën politike. Në vend të debatit politik atyre iu është ofruar angazhimi për të mbuluar vetëm skandale të qeverisë apo probleme personale të kryeministrit, siç ishte rasti “Fazlliç”. Mënyra se si drejtues politikë të shumicës janë sjellë ndaj këtyre ngjarjeve, është përcaktuar dhe nga distanca apo afërsia që ata kanë me kryetarin e PD, Sali Berisha. Ky natyrisht është një hap regresiv, që ka penguar afishimin e shumë individualitete brenda PD dhe ka shtuar radhën e njerëzve që kanë kuptuar mekanizmin e karrierës brenda partisë, atë të servilizmit politik për probleme që nuk kanë të bëjnë me PD, por personalisht me kryeministrin dhe gabimet e tij. Rikthimi i Genc Pollos dhe mundësia që ai të marrë një post kyç në PD e ka rihapur këtë debat dhe i ka bërë një shërbim pozitiv PD.
Problemi i dytë që rihap kthimi i Genc Pollos në PD dhe që mund të luajë një rol pozitiv është debati për skemën që çoi PD në fitore në 2005 dhe regresin e kësaj skeme pas fitores. PD fitoi si një parti që bashkoi shumë individualitete të saj të larguara me kohë prej saj. Duke u rikthyer në PD, ata formuan një spektër të gjerë dhe krijuan idenë se në PD nuk ishte më vetëm Berisha. Aty u identifikuan themelues të vitit 1990, ish-disidentë të Berishës, kritikë të fortë të tij, ekspertë të njohur të fushave të ndryshme etj. Pas fitores në zgjedhje Berisha nuk e respektoi më këtë spektër. Ai nuk e ndau pushtetin me ata që e fitoi, por thirri në pushtet njerëz të tjerë që ia dinë për nder vetëm atij personalisht promovimin politik dhe jo PD. Kjo bëri që spektri i gjerë që solli PD në pushtet të izolohej dhe të lihej thuajse jashtë pushtetit dhe Berisha të drejtojë me një qeveri uniforme, ku çdo emër është një nënfish i tij. Rikthimi i Pollos mund ta rihapë këtë debat, pasi është një rast i mirë për të krahasuar standardet, me të cilat Berisha respekton ata, me të cilët ai bën marrëveshje personale dhe standardi, me të cilin ai respekton ata, me të cilët ai bën marrëveshje politike. Personalitetet, me të cilët ai bëri marrëveshje politike pas zgjedhjeve të vitit 2005, thuajse nuk u respektuan, kurse ata, me të cilët ai bëri marrëveshje personale, gëzuan dhe gëzojnë pushtet të pavarur prej tij si pjesë e koalicionit qeverisës. Rikthimi i Pollos mund të shërbejë pozitivisht për ta rihapur edhe këtë debat brenda PD.
Dhe së fundi rikthimi i tij duket se ka trazuar grupimet e heshtura brenda partisë, të cilat kanë shpresuar se heshtja është rruga më e mirë për të qenë pjesë e listës së re të deputetëve. Rasti “Pollo” është një leksion i mirë se beteja me Berishën shpesh është më me leverdi dhe më parimore sesa servilizmi ndaj tij. Natyrisht, kjo nuk vlen për të gjithë, por për ata që kanë hyrë me emrin e tyre në politikë.