Kokona, biznes me lejen e ndërtimit që i ishte dhënë për banesë
Ilir Kokona, kryetar i njësisë bashkiake numër katër, ka marrë një leje ndërtimi për një ndërtesë trekatëshe dhe e ka shndërruar në një godinë banimi me 5 kate. Pas një kontrolli të bërë nga inspektorati i bashkisë më datë 27 tetor, ka rezultuar se kryetari i njësisë bashkiake, Ilir Kokona, duke shfrytëzuar dhe postin që ka aktualisht si kryetar i njësisë bashkiake numër 4, e ka shndërruar banesën e tij në një godinë banimi me pesë kate, me qëllime përfitimi, pra arsyeja e prishjes së kësaj godine nuk ka të bëjë me pozicionimin e tij politik.
Historia ka filluar më datë 27 tetor, ku inspektorati ka konstatuar se Ilir Kokona, kryetari i njësisë bashkiake numër katër, ka shtuar mbi lejen e ndërtimit që i është dhënë dhe dy kate të tjera. Më parë, sipas dokumentacionit, Kokona mes rrugës “Qemal Stafa” dhe “Bajram Curri”, ka pasur vetëm një vilë trekatëshe, për të cilën kishte filluar dhe procedurën e legalizimit. Madje, në bazë të këtij ndërtimi, i është miratuar dhe leja e legalizimit për objektin në fjalë. Leja e shfrytëzimit, sipas dokumentacionit, është lëshuar që në vitin 2004. I njëjti dokumentacion që i është dorëzuar bashkisë, i është dërguar dhe agjencisë së legalizimit, e cila nuk është shprehur kundër legalizimit të këtij objekti.
Por, ç’ka ndodhur më pas? Objekti trekatësh, që në fotot e dorëzuara nga Kokona duket qartazi se është për përdorim vetjak, papritur është shndërruar në godinë banimi 5 kate, madje dyshohet se veç dy kateve që janë shtuar, është zgjeruar dhe sipërfaqja prej 184 metrash katrorë, ku ishte ngritur godina e mëparshme. Fotot e bëra nga inspektorët në tetor të këtij viti ndryshojnë shumë me objektin që ka paraqitur Kokona për legalizim. Tashmë, ndërtesa e Kokonës ka marrë pamjen e një pallati që është gati për shitje, me kate dhe sipërfaqe të shtuara në kundërshtim me ligjin. Duket se kjo ka qenë arsyeja se përse inspektorët e Bashkisë së Tiranës, kanë vendosur prishjen e asaj që mund të konsiderohet si shkelje e ligjit.
Në rast se do e shohim problemin më gjerë, kjo është nga të paktat raste, kur Bashkia e Tiranës është në të drejtën e saj dhe po zbaton ligjin, në kundërshtim me natyrën e kryetarit të bashkisë që e ka në metodën e tij të punës ta shkelë atë. Por veprimi i Bashkisë së Tiranës në këtë rast duhet përshëndetur. Ilir Kokona s’ka bërë gjë tjetër vetëm se duke shfrytëzuar postin dhe besimin e qytetarëve të zonës, është munduar të përfitojë në kundërshtim me ligjin, dhe për më keq, për këto veprime të tij kërkon dhe mbrojtje politike, gjë e cila, në rast se do i jepej, do ishte një tjetër hap drejt humbjes së besimit që qytetarët kanë kundrejt politikës. Ato kate që Kokona i ka ndërtuar pa leje duhen shembur, jo vetëm se ka mashtruar hapur me dokumentacionin e paraqitur, jo vetëm se ka shfrytëzuar postin, por sepse kështu të paktën do kthehej njëfarë besimi te qytetarët dhe te zbatimi i ligjit. Dhe kjo s’ka të bëjë as me kryetarin e bashkisë dhe as me kryeministrin, por me shembullin që duhet të jepet në këto raste.
Kokona e konsideron veten viktimë të luftës politike brenda PS
Ilir Kokona, pas marrjes së vendimit nga ana e bashkisë, u mundua ta paraqiste shkeljen e tij të ligjit si një “sulm politik që po i bën Edi Rama, për shkak se kërkon të kalojë te partia e Petro Koçit”. Madje, në disa media ky u publikua si skandal i radhës që Edi Rama po i bën kundërshtarëve të tij politikë. Por duket se e vërteta është krejt ndryshe. Madje, po të flasim për Ilir Kokonën, është një ndër kryetarët që e ka shndërruar atë minibashki në një çiflig, ku rasti në fjalë tregon se mund të shkelë dhe ligjin në sy të atyre banorëve që e kanë votuar. Emri i Ilir Kokonës është përmendur gjatë dhe në vitin 2005, kur u vra komisioneri i Partisë Republikane, Learton Vathi. Thuhet se në atë kohë Kokona ka qenë nën shoqërinë e vëllait të Nehat Kullës, Bashkimit, gjatë kohës që ky i fundit shkrehu armën në trupin e komisionerit që ndërhyri për të shmangur manipulimin e zgjedhjeve. Vrasja e komisionerit ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve në këtë zonë, ku fitoi Shpëtim Idrizi. Por, ndërsa Bashkim Kulla u burgos për veprën që kreu, Ilir Kokona nuk pranoi as të dëshmonte në gjyq për krimin e kryer. Tashmë, Ilir Kokona reklamohet si viktimë politike e Edi Ramës, gjë e cila nga dokumentacioni që disponohet për këtë çështje nuk rezulton aspak e vërtetë. Petro Koçi është një ndër ata që ka denoncuar vazhdimisht Edi Ramën për dhënie lejesh ndërtimi pa kriter dhe ky është një rast që duhet përshëndetur, pasi ai po e zbaton ligjin.