E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE Te hetohet videoja

Komisioni Europian i kujton autoriteteve shqiptare se “askush nuk është mbi ligjin” dhe pret nga prokuroria që të hetojë rastin e bisedës Meta-Prifti që publikoi “Fiks fare”.

TCH: Gjatë një emisioni investigues televiziv në Shqipëri është treguar me video një bisedë për afera korruptive mes zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës. A është në dijeni Komisioni për këtë, pasi bëhet fjalë për korrupsion të nivelit të lartë nga njera anë, ndërkohë që së fundmi në opinionin për Shqipërinë lufta kundër korrupsionit është një ndër 12 prioritetet kyçe kusht për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë?

“Ju falenderoj shumë për këtë pyetje. Ne sapo jemi informuar për këto zhvillime të fundit në Shqipëri e nuk mund të komentojmë në mënyrë specifike. Siç e dini, ekziston një sistem ligjor në Shqipëri dhe ky sistem ligjor duhet të zbatohet dhe për këtë rast. Nëse ky rast do të konfirmohet, i takon së pari prokurorisë që të ndjekë bazuar në informacionet e dhëna dhe të ndërmarrë hetimet që i vlerëson relevante. Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në prill 2009 dhe Komisioni ka dhënë mendimin e tij, në paketën e zgjerimit të 2010-s. Natyrisht lufta kundër korrupsionit është pjesë e kritereve politike për anëtarësim dhe në fakt paraqet kriterin kyç, pra siç e thatë në 12 prioritetet kyçe të paraqitura për Shqipërinë në raportin e fundit, Komisioni parashtron nevojën për një gjurmë konkrete provash, me hetime, ndjekje penale dhe dënime në të gjitha nivelet zyrtare. Kjo duhet të ndodhë në Shqipëri sikundër edhe në të gjitha vendet e tjera kandidate e potencialisht kandidate. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri sepse askush nuk është mbi ligjin”, është shprehur Natasha Butler, zëdhënëse e KE-së për Zgjerimin.

Shqipëria përmendet për “kulturën e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë për korrupsion” në të gjitha raportet e përvitshme të Komisionit Europian si në kuadër të zgjerimit, ashtu dhe në atë të proçesit liberalizues që çoi në heqjen e regjimit të vizave afatshkurtra.

Ndërsa në vitin 2003 kërkohej luftë kundër pandëshkueshmërisë, në 2010-n Komisioni vlerësoi se “pandëshkueshmëria është kulturë në vend”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›