Kriza, zgjidhjen do ta japë Brukseli

Largohen ekspertët e BE. Gjendet konsensusi për materialet zgjedhore, por mungon zgjidhja përfundimtare
Delegacioni i BE tërhoqi qëndrimet e palëve dhe do të hartojë një dokument zgjidhje që do ta firmosë Berisha dhe Rama
Do të duhet një darkë tjetër si ajo e Strasburgut për t'i dhënë zgjidhje përfundimtare krizës politike që ka mbërthyer Shqipërinë prej më shumë se 9-muajsh. Misioni 24 orësh i të dërguarve të Bashkimit Europian ka dëgjuar edhe një herë, por kësaj here në mënyrë të detajuar, qëndrimet e palëve, ndërsa pritet që në ditët në vijim të përgatisë një draft-zgjidhje që do t'u vihet dy drejtuesve të politikës shqiptare përpara për ta firmosur në një takim tjetër të mundshëm që parashikohet të mbahet sërish jashtë vendit.
Burime nga selitë e partive kryesore politike në vend, kanë bërë të ditur se në takimet e veçanta dhe ato të përbashkëta, delegacioni i BE-së i kryesuar nga zëvendësshefja e Kabinetit të Komisionerit të BE-së për Zgjerimin Stefan Fule, Jana Sindelkova, është njohur në mënyrë të detajuar me qëndrimet që kanë dy palët në konflikt lidhur me kërkesën për transparencën e zgjedhjeve.
Fillimisht, ata mësohet se kanë gjetur një qëndrim të përbashkët si të demokratëve dhe socialistëve lidhur me kutitë e materialeve zgjedhore, për të cilat ato janë dakord që të hapen pa qenë e nevojshme që të kalojnë më parë në Arkivin Qendror të Shtetit. Ndërkohë, ndarje ekspertët europianë kanë hasur sërish për sa i përket pozicionimit të dy partive kryesore politike, lidhur me kutitë e fletëve të votimit.
Pikërisht, për këtë çështje mësohet se në takimet e veçanta të zhvilluara edhe në prani të liderëve respektivë ka pasur edhe tensionim të debatit, pasi asnjëra nga palët nuk ka pranuar të lëvizë nga qëndrimet e mëparshme. Kështu, mësohet se të djathtët, teksa kanë pranuar hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, e kanë konsideruar thuajse të panegociueshme nevojën për djegien e fletëve të votimit.
Një qëndrim krejt të kundërt mësohet se kanë shprehur socialistët, të cilët sërish i kanë mëshuar idesë se fletët e votimit nuk duhet të digjen, por ato duhet të jenë si një mundësi për të vërtetuar shkeljet që mund të vihen re nga këqyrja e kutive të materialeve zgjedhore.
E ndërsa përfaqësuesit e mazhorancës nuk kanë pranuar të hyjnë debatit për t'iu drejtuar Komisionit të Venecias për këtë çështje, përfaqësuesit e opozitës kanë vlerësuar se një gjë e tillë mund të përbënte një zgjidhje të pranueshme për ta.
Por për të shkuar në "Venecia" edhe socialistë kërkojnë që të mos ndiqet rruga e nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, por se një gjë të tillë ta kërkojë kryetarja e Kuvendit pas rezolutës së komisionit hetimor.
Pavarësisht pikës së përbashkët që kanë mundur të gjejnë lidhur me kutitë e materialeve zgjedhore, ekipi i ekspertëve të BE-së i përbërë edhe nga Terkel Petersen, i cili mbulon Shqipërinë në Sekretariatin e Këshillit të BE-së, si dhe dy këshilltaret e kryetarëve të grupeve parlamentare në Parlamentin Europian, Rob Van De Uoter dhe Jesper Haglynd, ka vendosur të mos shprehet, por të tërhiqet sërish në Bruksel për të shqyrtuar mundësitë e zgjidhjes.
Kështu, mësohet se ata fillimisht do të evidentojnë pikat e përbashkëta dhe më pas do të shqyrtojnë një zgjidhje për pikat e tjera, pavarësisht se zgjidhja që mund të vijë në këtë rast nuk do të kënaqte të gjitha palët.
Për të bërë një gjykim sa më racional dhe objektiv ekspertët e BE-së mësohet se kanë marrë me vete dhe kopje të Kushtetutës dhe ligjeve që rregullojnë si veprimtarinë elektorale, ashtu edhe atë arkivore.
Pavarësisht se nuk përjashtohet një vizitë tjetër e këtij ekipi në Tiranë, ajo që mësohet është se në përfundim të këtij procesi ai do të hartojë një draft-dokument që do t'i propozohet për t'u pranuar nga kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, në një takim që mund të mbahet përsëri në Francë. Lidhur me misionin e tyre, ekspertët e BE-së kanë informuar dje para se të largoheshin edhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.