Berisha: Do të plotësojmë kriteret e mbetura

TIRANË - Pas konfirmimit pozitiv nga ana e Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe kërkesën për plotësimin e kritereve të mbetura, në reagimin e tij, Kryeministri theksoi dje se qeveria shqiptare do të bëjë të gjitha përpjekjet për përmbushjen e këtyre kushteve.
Duke përshëndetur propozimin e bërë publik nga komisioneria për Çështjet e Brendshme dhe të Sigurisë në BE, kreu i qeverisë vuri në dukje se Shqipëria do të plotësojë strategjinë për riintegrimin e të riatdhesuarve, forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar si dhe konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar."
Garantoj komisioneren Malmstrom, Komisionin Europian dhe të gjitha vendet anëtare se tri çështjet e lëna në ngarkim të autoriteteve shqiptare për shqyrtim dhe zgjidhje do të trajtohen dhe po trajtohen me seriozitetin më të madh nga kjo qeveri, njëlloj si e gjithë paketa e kërkesave të udhërrëfyesit të Komisionit Europian për heqjen e vizave.
Ky proces i tillë do të jetë bazuar në përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara qartësisht dhe të shpallura edhe sot (dje) nga komisioneria Malstrom", - tha dje Berisha.
Rekomandimi për strategjinë për rintegrimin e të riatdhesuarve, sipas Kryeministrit Berisha është në diskutim e sipër me faktorin ndërkombëtar dhe pasi të përfundoi ky diskutim, ai do të miratohet nga qeveria dhe Komiteti Ndërministror për Liberalizimin e Vizave.
Ndërsa lidhur me kriterin që ka të bëjë me forcimin e kapaciteteve ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, shefi i ekzekutivit vuri në dukje se janë akorduar fonde dhe burime të veçanta Policisë së Shtetit për sistemin e analizës on-line të kriminalitetit në vend. Sipas tij, qeveria së shpejti do të bëjë të mundur shtimin e personelit në drejtoritë e luftës kundër drogës dhe trafiqeve.
"Së shpejti, qeveria merr vendimin për të shtuar personelin në drejtoritë e luftës kundër trafiqeve dhe drogës. Ju e keni parë që po merren masa shumë serioze për të bërë zero tolerancë ndaj mbjelljes së kanabisit", - u shpreh ai.
Për sa i përket përmbushjes së kriterit në zbatimin e ligjit antimafia Berisha nënvizoi se do të trefishohet personeli në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe kjo e fundit dhe prokuroria kanë nisur një numër çështjesh për konfiskimin e aseteve kriminale, ku disa prej tyre, sipas Berishës, pritet të dërgohen në gjykatë.