E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE: Zgjidhja e krizës do t'i hapë rrugën Shqipërisë për në BE

Numri dy i PPE-së, Ioannis Kasoulides, shpreh besimin se zgjidhja do të vijë nga takimi Rama-Berisha


E djathta dhe e majta europiane nuk ka dallime kur bëhet fjalë për domosdoshmërinë e zgjidhjes së krizës politike shqiptare. Ndërsa në Tiranë vijonin diskutimet mes përfaqësisë së BE-së dhe dy forcave kryesore politike shqiptare drejtuesit më të lartë të politikës europiane kanë përcjellë mesazhe të qarta për liderët politikë shqiptar se situata aktuale politike do të ishte përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të procesit integruese, e pse jo edhe për procesin e liberalizimit të vizave.


Dje ka qenë radha e zëvendëspresidentit të Partive Popullore Europiane, qipriotit Ioannis Kasoulides, i cili në një komunikim për mediat në Bruksel ka mbështetur qëndrimin e shprehur nga homologët e tij të majtë, se gjetja sa më parë e konsensusit për zhbllokimin e situatës politike në Shqipëri, do të krijonte mundësinë që vendi ynë të përfitonte si në procesin e përafrimit me BE-në ashtu edhe në atë të lëvizjes së lirë.


"Një konsensus i tillë do t'i hapë rrugën Shqipërisë për marrjen e statusit kandidat për anëtarësimin në BE dhe do të mënjanojë të gjitha pengesat për procesin e liberalizimit të vizave", ka deklaruar Kasoulides, i cili ishte pjesë e tryezës së Strasburgut më 20 Maj.


Pavarësisht këtij paralajmërimi, ai është shprehur besimplotë se zgjidhja do të vijë në takimin e ardhshëm që dy liderët e politikës shqiptare do të mbajnë në prani edhe të zyrtarëve të lartë të BE-së në Strasburg. "Kam besim të plotë se kryeministri i Shqipërisë dhe lideri i opozitës do të arrijnë një përfundim gjatë takimit të ardhshëm në Strasburg.


Të gjithë elementët për një zgjidhje të drejtë ndaj të gjitha shqetësimeve janë aty. Përfituesi kryesor do të jetë populli i Shqipërisë", - shprehet më tej Ioannis Kasoulides.


Mesazhi i Kasoulides bie si një kambanë për gjithë klasën politike shqiptare, por në veçanti për qeverinë, pasi ai është numri dy i partive të djathta europiane të përfaqësuara në Parlamentin Europian. Nuk dihet nëse një reagim i tillë vjen për shkak të refuzimit që kryeministri Berisha po i bën kërkesës së opozitës për të mos djegur fletët e votimit.


Vetëm një ditë më parë thuajse i njëjti mesazh erdhi dhe nga numri dy i partive të majta europiane, Janes Svoboda, megjithëse ai ishte më i ashpër kur deklaroi se moszgjidhja e krizës politike do të stopojë procesin e integrimit të vendit në BE, dhe heqjen e regjimit të vizave.


"Ne nuk do të ndalojmë iniciativën tonë derisa të kemi një zgjidhje dhe Shqipëria duhet ta dijë se pa zgjidhje, zhvillimi i marrëdhënieve me Bashkimin Europian do të ketë shumë, shumë probleme, duke përfshirë këtu dhe çështjen e liberalizimit të vizave.


Nuk është qëllimi ynë të kërcënojmë, por të tregojmë rrugën për liberalizimin e vizave dhe negociatave për anëtarësim, dhe për këtë ne presim që Shqipëria të japë po ashtu kontribut", - tha dy ditë më parë Svoboda për mediat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›