E Shtunë, 31 Tetor 2026

KE dhe SHBA: Ligji për SHISH mund të cenojë integrimin

Autori i Lajmit: Redaksia
Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikës të pakënaqur për ndryshimet e propozuara nga Qeveria në ligjin e ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Ambasadori i Komisionit Evropian, Helmut Lohan ka nënvizuar standardet evropiane që synon të arrijë Shqipëria, por edhe kushtëzimin e integrimit evropian me respektimin e këtyre standardeve. “Në procesin e përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe vlerësimit të kritereve politike, Komisioni Evropian merr në analizë edhe çështje të tilla si për shembull kompetencat e Shërbimit Informativ në një shoqëri demokratike, llogaridhënien dhe kontrollin e tij”, - tha Lohan. Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë theksuar përveç aspiratave evropiane dhe detyrimet euroatlantike të Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s. “Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s”, - ka pohuar zëdhënësi i ambasadës amerikane. Me variantin e ri, SHISH bëhet kompetent për të mbledhur informacion për njohjen, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave dhe me kryesorja, për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike. Varianti i ri i ligjit thekson edhe më shumë varësinë e agjencisë nga Kryeministri sepse me ndryshimet e bëra kreu i Qeverisë mund ti kërkojë drejtorit të SHISH-it informacione dhe raportime në çdo kohe dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e agjencisë.
Po ashtu, për të mbledhur informacion nga agjencitë e huaja partnere, shërbimit i duhet miratimi i Kryeministrit. Partnerët ndërkombëtarë mendojnë se ndryshimet rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta venë atë nën një ndikim të pastër politik. Madje ambasadori Lohan në përgjigjen e tij lë të kuptohet se nëse miratohet në këtë formë, ligji do të kushtëzojë edhe integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

PS: Berisha po e kthen SHISH ne polici politike

Partia Socialiste e shikon projektligjin e ri për Shërbimin Informativ Shtetëror si një manovër të Kryeministrit Sali Berisha për ta zaptuar atë. Sipas deputetit Erjon Braçe Berisha do të verë nën kontroll prova që ky institucion disponon për ngjarje të rënda të ndodhura në Shqipëri siç është tragjedia e Gërdecit apo edhe veprimtari të tjera me natyre ekonomike siç janë disa privatizime strategjike. “Kryeministri nuk mund të tolerojë këtë fakt që ti filtroje informacioni deri në mediat, ndaj natyrisht kërkon kontroll të plotë mbi të gjitha informacionet që vijnë në institucione të rëndësisë së veçantë që nuk janë në shërbim të Berishës dhe qeverisë së tij, por të shtetit shqiptar”,- u shpreh Braçe. Deputeti socialist renditi edhe pikat që sipas tij tregojnë hapur tendencën e Kryeministrit, ku përfshihen ndërprerja e mandatit të drejtuesit aktual të SHISH-it pa arsye, vënien në varësi të të gjithë veprimtarisë së këtij institucioni, duke kaluar kontrollin nga Parlamenti tek Kryeministri. Sipas Braçes SHISH rrezikon të kthehet në një shërbim operacional policor me ngjyrim tërësisht politik. Një tjetër pikë skandaloze e shtuar sipas Braçes është edhe leja që SHISH të mbledhë të dhëna edhe për shërbime të vendeve të huaja. Një tjetër element tha Braçe është deri edhe kontrolli që Kryeministri i bën marrëveshjeve që SHISH kryen me homologët e tij të vendeve të tjera.

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›