E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, drejtori i KESH, jep llogari në Prokurori

Autori i Lajmit: Redaksia
Thirret për të dytën herë në Prokurorinë e Shkodrës, drejtori i KESH, Muharrem Stojku. Zyrtari më i lartë i KESH është marrë në pyetje nga prokurori Përparim Kulluri, lidhur me hetimin për përmbytjet në Shkodër.
Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, Muharrem Stojku u paraqit dje para hetuesve të Shkodrës, i shoqëruar nga një avokat. Burime zyrtare nga prokuroria, thanë se drejtori i Përgjithshëm i KESH, është marrë në pyetje në prani të një avokati, si person në hetim për akuzat “shpërdorim detyre” dhe “shkatërrim prone, me dashje”. Mësohet se Stojku i është përgjigjur pyetjeve për menaxhimin e digave të kaskadës dhe arsyen e hapjes se portave në HEC-et mbi kaskadën e Drinit. Burimet nga prokuroria kanë njoftuar se kanë thirrur për të marrë në pyetje në lidhje me përmbytjet në Shkodër, edhe tre drejtorët e hidrocentraleve të kaskadës së lumit Drin, Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës.
Dëshmia e Stojkut
Gjatë marrjes në pyetje ditët e fundit të janarit në Prokurorinë e Shkodrës Drejtori i Përgjithshëm Muharrem Stojku në dëshminë e tij ka pohuar se zyrat qendrore kanë dhënë urdhra për menaxhimin e kaskadës së Drinit në varësi të shifrave që janë dërguar nga drejtoritë e HEC-eve dhe nga zyrat lokale të KESH-it. Më 8 janar 2010 Prokuroria e Shkodrës hapi hetimet kryesisht për përmbytjet në Shkodër ndërsa pas verifikimit të dokumenteve në KESH dhe Hidrocentrale, u vendos fillimi i procedimit penal. Po sot Prokuroria e Shkodrës ka prerë fletëthirrjet për 3 drejtorët e HEC-eve për tu paraqitur dhe dhënë shpjegime lidhur me veprimet e marra para dhe gjatë përmbytjeve në Shkodër.
Hetimi i prokurorëve të Shkodrës
Prokuroria e Shkodrës filloi kryesisht hetimin e përmbytjeve në këtë qytet dhe rrethinat e tij në datë 7 janar 2010. Hetimi filloi pas përmbytjes së mbi 2400 banesave dhe më shumë se 11 mijë hektarëve me ujë. Organi i akuzës është duke verifikuar një lidhje të mundshme mes grumbullimit të ujit në kaskadën e Drinit në periudhën dhjetor 2009 - janar 2010, shkarkimeve masive të detyruara më pas nga kjo kaskadë, dhe rritjes së prurjeve të lumenjve në Shkodër, të cilët dolën nga shtrati dhe shkaktuan përmbytjen e të paktën gjashtë komunave. Drejtuesit e KESH dhe ministrisë së Energjetikës i kanë mohuar akuzat për keqmenaxhim të situatës duke pohuar se kanë bërë më të mirën për furnizimin e vendit me energji elektrike dhe ruajtjen e sigurisë në digat ujëmbledhëse të hidrocentraleve.

Kompensimi i banorëve
të zonave të përmbytura

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile Alfred Olli, vetëm pak kohë më parë deklaroi se rreth 150 komisionerë nisën procesin e vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet e këtij fillimviti, në 9 komuna dhe disa lagje periferike të qytetit të Shkodrës. Qeveria shqiptare ka premtuar kompensimin e plotë të dëmeve materiale të shkaktuara nga këto përmbytje. Banorët që u dëmtuan nga këto përmbytje do të kenë një llogari bankare ku do të derdhet vlera e dëmit që u është shkaktuar. Dëmet kryesore janë shkaktuar në banesa si pasojë e vërshimit të ujit. Ndërkohë edhe të mbjellat kanë pasur dëmtime për shkak të qëndrimit të ujit më tepër se dhjetë ditë në nivelin mbi 1 metër në disa komuna.

Shifrat për përmbytjen

Bashkia Shkodër; 200 ha tokë; 616 të evakuar; 300 shtëpi të përmbytura
Komuna Dajç; 2000 ha tokë; 2000 të evakuuar; 1187 shtëpi të përmbytura
Komuna Ana Malit; 1200 ha toke; 282 te evakuuar, 180 shtëpi të përmbytura
Komuna Velipojë; 2000 ha tokë, 200 të evakuuar 50 shtepi te përmbytura
Komuna Bërdicë; 1600 ha tokë, 810 të evakuuar 180 shtëpi të përmbytura
Komuna Guri Zi-730 ha tokë; ska banesa të përmbytura
Komuna Bushat 2000 ha tokë; 500 të evakuuar; 250 shtëpi të përmbytura

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›