E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD: “PS hesht për viktimat e komunizmit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Demokratike kritikon ashpër Partinë Socialiste pas mungesës së një deklarate zyrtare nga ana e saj lidhur me varrin masiv të gjetur në malin e Dajtit. “Në kulmin e tronditjes së shoqërisë shqiptare nga zbulimi i varrezës masive në veri të Tiranës, Edvin Kristaq Rama dhe pinjollët e “Bllokut” në vend të kërkesës ndjesë për krimet monstruoze të etërve të tyre, të cilët firmosën me mijëra e mijëra internime, burgosje e ekzekutime duke marrë kështu jetë njerëzish të pafajshëm, kanë përzgjedhur shpifjet dhe trillimet e nivelit më të ulët nëpërmjet tellallëve të tyre ordinerë. Çuditërisht, sot në këtë ditë, Edvin Kristaq Rama nuk ndoti ambientin me zërin dhe fytyrën e Xhelil Gjonit junior, as me atë të Hamit Beqes junior, as me atë të Sulejman Bushatit junior, pasi “ekipi shpresa i PPSH” duket se sot është fshehur”, - deklaroi zëdhënësja e demokratëve, Erla Mëhilli. Sipas saj, “Rama zgjodhi që ndotjen e radhës ta kryente me zërin dhe fytyrën e një fakireje, e cila vendin e saj në PS, po e siguron duke vazhduar kacavjerrjen e paraardhësve të saj të pasuksesshëm”. Mëhilli ka dënuar në emër të PD-së heshtjen e selisë rozë. “Partia Demokratike, duke denoncuar heshtjen dhe qëndrimin e Edvin Kristaq Ramës dhe suitës së bllokmenëve të rinj ndaj krimeve makabre të zbuluara në veri të Tiranës, dënon shpifjet e ulëta dhe trillimet që ata lëshojnë nëpërmjet tellallëve të tyre amoralë. Partia Demokratike thekson se është koha që të kërkoni ndjesë për krimet e etërve tuaj, e jo t’i mbuloni ato me shpifje dhe trillime me të cilat faktoni se ndani moralin çnjerëzor të paraardhësve tuaj”, - përfundoi zëdhënësja e selisë blu.

Ky lajm është publikuar: 10/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›