E Diel, 1 Nëntor 2026

KE, grant 950 mijë euro për Djegie-Plastikën

Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri dhe qendra spitalore "Nënë Tereza", nënshkruan dje një kontratë granti me vlerë 950000 euro për një projekt 16-mujor. Ai do të jetë në shërbim të nevojave të Repartit të Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike, duke mundësuar pajisjen e këtij reparti me infrastrukturë, aparate mjekësore, ilaçe dhe trajnime të stafit. Për përmirësimin e infrastrukturës aktuale të spitalit, mes të tjerash, projekti do të mundësojë ndarjen e një pjese të godinës. Ky aneks do të ofrojë kushtet për një trajtim antiseptik të pacientëve. Për sa u përket pajisjeve, fondi do të përdoret për të blerë, instaluar e vënë në përdorim të pajisjeve për trajtimin e pacientëve me djegie. Një shërbim të tillë kjo njësi nuk e ka pasur për 25 vjet. Në përgjigje të kërkesave urgjente dhe konkrete të spitalit, projekti do të mundësojë blerjen e materialit të nevojshëm dhe mjekimeve që do të garantojnë nivel të lartë të pastërtisë dhe një trajtim të rregullt anti-septik të patologjive të djegieve. Për t‘iu përgjigjur problemeve të kualifikimit dhe ekspertizës së burimeve njerëzore në spital, projekti do të ofrojë edhe trajnime e specializime për mjekët dhe infermieret e njësisë, si dhe për gjithë stafin në përgjithësi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›