E Diel, 1 Nëntor 2026

KE-ja jep afat: “Kodi Zgjedhor të jetë gati në tetor”



Eljona Ballhysa
Komisioni Europian kërkon nga qeveria shqiptare që të nisë sa më parë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ambasadori i prezencës së Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, i ka bërë apel politikës shqiptare që të përfundojë brenda muajit tetor ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Gjatë një prononcimi për mediat, Lohan ka vënë theksin në domosdoshmërinë e arritjes së konsensusit mes palëve dhe të miratimit sa më parë të Kodit të ri Zgjedhor.
Kërkesa
Lohan u shpreh se zgjedhjet parlamentare pritet të mbahen në muajin qershor dhe tashmë që kanë mbetur vetëm nëntë muaj nga zgjedhjet, vendi duhet të fillojë të përgatitet për to. “Zgjedhjet e ardhshme, sikundër ju tashmë e dini, ka shumë mundësi që të mbahen në fund të qershorit 2009. Është shumë e rëndësishme që të gjitha përgatitjet të përfundojnë shumë më përpara se data e zgjedhjeve. Për këtë arsye procesi i përfundimit të Kodit të ri, prodhimit të kartave të identitetit si dhe çështja e përbërjes së KQZ-së duhet të jenë zgjidhur në një të ardhme të afërt”, - është shprehur Lohan. Këtë deklaratë ambasadori i Komisionit Europian e bëri gjatë përurimit të dy projekteve për përmirësimin e lëvizjes së lirë të mallrave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ndërsa ka bërë dhe një shëtitje në zonën e Tregut Elektrik në Tiranë. Ambasadori i Komisionit Europian bëri thirrje që partitë politike të arrijnë në një konsensus dhe ritheksoi se nuk duhet humbur kohë. “Sa më shpejt të jetë e mundur duhet të arrihet një konsensus mes forcave politike lidhur me këto çështje. Ritheksoj se nuk duhet humbur kohë”, - është shprehur ambasadori Lohan.
Vendimi
Deklarata e Lohanit ka ardhur vetëm një ditë pas miratimit nga Kuvendi të kalendarit të punimeve trijavore. Pikërisht në këtë kalendar nuk është përfshirë diskutimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore ka rinisur punën duke u fokusuar deri tani vetëm te kartat e identitetit. Gjatë mbledhjes së kaluar në Komision u zhvillua një seancë dëgjimore me zëvendësministrin e Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili dha informacion për prodhimin e kartave të identitetit dhe listave të zgjedhësve. Pritet që palët të vazhdojnë diskutimet në Komision dhe për çështje të tjera. Vetëm pak kohë më parë, Lohan, i shoqëruar dhe nga drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Pier Mirel, zhvilloi një sërë takimesh me aktorët dhe faktorët politikë shqiptarë. Në qendër të bisedimeve ka qenë pikërisht reforma zgjedhore. Ndërkombëtarët kanë vënë gjithmonë theksin në domosdoshmërinë që Shqipëria të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, sipas standardeve të BE-së. Pikërisht zgjedhjet do të vazhdojnë të mbeten dhe këtë radhë një test i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt integrimit në BE.

24 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›