Bllokohet konsensusi PD-PS për Kodin Zgjedhor
Konsensusi midis dy partive të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, duket se është bllokuar së fundi për miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Burime nga Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore kanë bërë të ditur për gazetën se palët kanë ngecur te çështje të ndjeshme që lidhen me reformën zgjedhore, siç është roli që do të ketë Komisioni Qendror Zgjedhor, apo përbërja e komisioneve zgjedhore vendore. Megjithatë, informacioni mbi punën që po realizohet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është mjaft i pakët për shkak se kjo çështje është përqendruar në duart e një rrethi të ngushtë individësh. Sipas burimeve, anëtarët e Komisionit janë në pritje të një drafti që po realizohet nga një grup ekspertësh. Disa prej këtyre ekspertëve mësohet se janë këshilltarë të kryeministrit Berisha, ndërsa të tjerë juristë të Partisë Socialiste.
Tezat që do diskutohen
Komisioni i posaçëm Parlamentar për ndryshimet në Kodin Zgjedhor miratoi pak kohë më parë një draft me disa pika që kishin të bënin me listat e zgjedhësve, me periudhën se kur do të zhvillohen zgjedhjet, heqjen e certifikatave nga procesi i votimit, si dhe me mënyrën e futjes së partive në garën elektorale. Por ky komision nuk ka nisur ende diskutimin për rolin që do të ketë KQZ-ja në zgjedhjet e ardhshme. Me ndryshimet në Kushtetutë, KQZ-ja nuk ka më statusin e një institucioni të përhershëm. Madje ende nuk është përcaktuar se si do të jetë përbërja e këtij institucioni, se sa anëtarë do të ketë dhe nga cilat institucione do të propozohen.
Po kështu, palët nuk kanë përcaktuar ende se si do të jenë të përbëra dhe komisionet vendore zgjedhore që do të merren me të gjithë procesin zgjedhor dhe me numërimin e votave. PS-ja ka dalë së fundi me një kërkesë të qartë, që përbërja e këtyre komisioneve të mos jetë me militantë partiakë, por me ekspertë. Ndërsa nga PD-ja ende nuk ka një qëndrim të qartë për çështje që lidhen me reformën zgjedhore.
Pikat e miratuara
Komisioni i posaçëm zgjedhor për Reformën Zgjedhore ka miratuar që në zgjedhjet e ardhshme të votohet me karta identiteti dhe nuk do të lejohen në asnjë mënyrë votimi me certifikata. Palët kanë rënë dakord që të votohet vetëm në një fletë votimi ku votuesi do të siglojë votën vetëm mbi partinë që dëshiron të votojë. Vota e kësaj partie, së bashku me votat që kanë marrë partitë që konkurrojnë brenda të njëjtit koalicion, do të nxjerrë rezultatin përfundimtar të koalicioneve në zgjedhjet e ardhshme. Çështjet e miratuara deri tani nga komisioni dhe që nuk janë më pjesë e debateve politike janë: parimet e përgjithshme dhe struktura e Kodit Zgjedhor, listat e zgjedhësve dhe mënyra e hartimit të tyre, periudha zgjedhore dhe mënyra e caktimit të datës së zgjedhjeve, materialet zgjedhore dhe fletët e votimit dhe shpërndarja e tyre, si dhe procedura e votimit. Po kështu është vendosur dhe për mënyrën e shpërndarjes së mandateve në Kuvend. Sipas skemës, fitues janë deputetët që janë të parët në listën e një partie e cila merr më shumë vota. Përsa i përket çështjes së listave të zgjedhësve, do të jetë vetëm një ekstrakt i regjistrit elektronik të gjendjes civile, ku sanksionohet përfundimisht se zgjedhësi voton vetëm aty ku ka vendbanimin e tij.
24 Shtator 2008