E Diel, 1 Nëntor 2026

KE konfirmon nisjen e dialogut për vizat, por nuk dërgon Udhërrëfyesin

PRISHTINË- Komisioni Evropian ka nisur edhe zyrtarisht dialogun me Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave. Nisja e dialogut është konfirmuar nga Komisionarja për Çështje të Brendshme, Sisilia Malmstrom, pas një takimi që ka zhvilluar me kryeministrin Hashim Thaçi.

Por, Kosova  do të vonohet në procesin e liberalizimit të vizave, pasi dokumenti themelor, Udhërrëfyesi, nuk është finalizuar ende në Bruksel.

Pritjet në Prishtinë për një kohë të gjatë kanë qenë që BE-ja nga sot t’i dorëzojë Kosovës udhërrëfyesin për vizat, por Malmstrom ka thënë se procedurat janë të njëjta për të gjitha vendet, kështu që “së pari niset dialogu, e më pas caktohen parakushtet që sjellin deri të marrja e udhërrëfyesit”.

“Ajo që sot po bëjmë është të jemi këtu dhe të konfirmojmë se kushtet për nisjen e dialogut janë përmbushur”, ka thënë Malmstrom, duke potencuar sidomos çështjen e riatdhesimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga vendet e BE-së për në Kosovë.

Komisionerja Europiane për Çështje të Brendshme theksoi se objektivat e qeverisë mund të ndihmojnë shumë në hapat që duhet të ndërmarrë Kosova, megjithëse nuk tha një datë të saktë se kur mund të ndodhë procesi i liberalizimit.

“Mendoj se lehtësimi është mënyrë e mirë që njerëzit të bashkohen me njëri tjetrin dhe të zhmangin paragjykimet. Kjo nuk do ishte e mundur pa punën e madhe të qeverisë për të filluar këtë dialog. Mjeti për të nisur objektivin është udhërrëfyesi, por pavarësisht mungesës së tij, pikat e tij shtrohen në objektivat e qeveris. Nuk mund t'ju jap një datë saktë, duhet shumë punë”,- nënvizoi Malmström.

Komisionerja Europiane u shpreh se duhet një menaxhim i sigurtë i kufijve.

"Nisja e dialogut nënkupton vendim politik, kurse kushtet tjera ndërlidhen edhe me çështje tjera teknike dhe ato të legjislacionit", tha nder te tjera, Malmstrom.

Ndërkohë këmbënguljes së gazetarëve për një datë të saktë se kur Kosova mund të marrë udhërrëfyesin, i cili do të mund ti hapte rrugë procesit të liberalizimit, shefi i qeverisë kosovare u shpreh se zhvillimet historike në vend kanë vonuar këtë proces.

“Si e tha dhe komisionerja është me rëndësi që Kosova ka ecur para, do të respektohen të gjitha procedurat e duhura. Është me rëndësi që kemi përmbushur disa kritere. Ne si qeveri do të punojmë maksimalisht që procesi të mbyllet sa më shpejt. Duhet të jemi të hapur dhe me vetveten pasi jemi të fundit në rajon që kemi fituar lirinë dhe pavarësinë”,- theksoi Thaci.

(d.b/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›