KE miratoi 10000 bursa të reja për vitin e ri akademik
Komisioni Evropian sapo ka miratuar pothuajse 10,000 grante të reja për vitin akademik 2009-2010 të cilat do të financohen nga programi Erasmus Mundus. 8,385 studentë dhe akademikë do të vijnë të mësojnë apo japin mësim në Evropë, dhe 1,561 evropianë do të shkojnë në institucione partnere të vendeve jashtë BE-së. Ján Figel', Komisioneri Evropian për Arsimin, Trajnimin, Kulturën dhe Rininë, tha Erasmus Mundus po shënon arritje pas arritje.
Që prej fillimit të tij në vitin 2004, programi ka qenë në gjendje ta vendose veten në pararojë të programeve ndërkombëtare të lëvizshmërisë në botë. Me rëndësinë që i jep cilësisë, ai po I shërben shkëlqyeshëm promovimit të arsimit të lartë evropian në rang botëror. Benita Ferrero-Waldner, Komisionerja për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikën Evropiane të Fqinjësisë, tha: Arsimi luan një rol thelbësor në zhvillimin e vendeve dhe në dhënien e perspektivave për të rinjtë. Duke shtyrë shkëmbimet akademike mes Evropës dhe pjesës tjetër të botës, ne po u japim studentëve universitar mjetet e duhura për të ndërtuar më mirë të ardhmen e tyre si edhe për të kuptuar e respektuar njëri-tjetrin. Pra, Erasmus Mundus është një instrument i vyer për të ndërtuar dhe forcuar urat kudo në botë. Erasmus Mundus është një program bashkëpunimi dhe lëvizshmërie në fushën e arsimit të lartë dhe synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë evropian dhe të promovojë dialog dhe mirëkuptim mes popujve e kulturave nëpërmjet bashkëpunimit me vende jashtë BE-së.