KE, në shtator rezolutë për pronat në Shqipëri
Komisioni Europian pritet që në fillim të muajit shtator të paraqesë një rezolutë për çështjet e pronësisë në Shqipëri. Shoqata e ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi”, konfirmon se pas ankesave të tyre të vazhdueshme në lidhje me çështjen e pronave në Shqipëri dhe ndihmën që ka marrë nga ana e Shoqatës së Pronarëve Europianë, Rezoluta e KE-së pritet të hartohet së shpejti. Sekretari i “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, thekson se puna për nxjerrjen e kësaj rezolute ka nisur kohë më parë. “Në fillim të muajit shtator do të ketë një rezolutë për Shqipërinë, për sa u përket çështjeve të pronësisë. është kërkuar nga ana jonë një rezolutë. Janë bërë raportet, është ngarkuar Universiteti i Gracit në Austri që ka bërë studimet. Të dhënat janë paraqitur në Këshillin e Europës dhe në Parlamentin Europian. Një ndihmë të veçantë na ka dhënë Shoqata e Pronarëve Europianë, sepse vetëm në Shqipëri ndodhin absurditete të tilla me çështjen e pronave”, thekson Toro. Po kështu, përfaqësuesi i shoqatës së ish-pronarëve thekson se mangësitë e Shqipërisë për sa u përket problemeve të pronësisë, janë vërejtur edhe në Pyetësorin që vendi ynë i ka dërguar KE-së. Sipas tij, pala shqiptare nuk ka ditur t’i japë të dhëna të sakta Europës në lidhje me kohën kur kompensimi do të kryhet dhe shumë çështje të tjera që janë ngritur në lidhje me këtë çështje. “Në Pyetësorin që i është dërguar Komisionit Europian, përgjigjet për çështjet e pronave kanë qenë në mënyrë të përciptë. Pyetjet kanë qenë të qarta, se kur do të zgjidhet problemi i pronësisë, pse janë vendosur kufizimet, kur do të bëhen kompensimet etj. Europianët kërkojnë afate të qarta dhe pala shqiptare nuk di t’u japë një përgjigje”, shton sekretari i “Pronësi me Drejtësi”. Sipas Toros, Shqipëria nuk mund të avancojë drejt integrimit në Bashkimin Europian, në rast se nuk ka një strategji dhe afate kohore të qarta në lidhje me atë çfarë do të bëjë për çështjet e pronave në vend. E drejta e pronës private është një e drejtë themeltare dhe drejtësia në këtë fushë duket se kërkohet me insistim nga ana e institucioneve europiane. Përfaqësuesit e shoqatave të ish-pronarëve në vend, në mënyrë të vazhdueshme kanë shprehur shqetësimet e tyre ndaj qeverive për mosdhënien e një afati përfundimtarë për vënien në vend të kauzës së tyre.
#