Dëshmitari: Si shpëtuam të mbijetuarit
Eduard Prendi, banor i fshati Dom, ka qenë ndër të parët që është drejtuar drejt vendit të aksidentit, sapo kanë marrë lajmin. “Ishim me dy shokë në lokalin e fshatit, kur dëgjuam një zhurmë të fortë, që ngjante si shpërthim. Pesë minuta më vonë vjen një makinë dhe shoferi na thotë se kishte rënë në greminë një autobus me pasagjerë. U nisëm menjëherë dhe ishte e pabesueshme ajo që pamë ku zbritëm poshtë. Njerëz të shpërndarë gjithandej, kishte prej tyre me kafka të hapura, kishte prej tyre që ishin brenda në autobus dhe kërkonin ndihmë. Nuk di ta përshkruaj me fjalë atë që kam parë, ishte tragjike dhe shumë e rëndë. Nisëm menjëherë të nxirrnim njerëzit në rrugë dhe fillimisht, nisëm nga ata që shfaqnin shenja jete. Nxorëm në rrugë edhe një djalë, rreth 30 vjeç, sepse menduam se ishte gjallë, por kur e nxorëm në rrugë ishte pa jetë. Arritëm të nxirrnim gjashtë persona në rrugë, e në këtë kohë mbërriti policia dhe ambulancat, të cilët e vazhduan ato më pas operacionin e shpëtimit”, rrëfen për “Shqip” i riu nga fshati Dom.
Qyteza e PukësQyteza e Pukës ishte e para që priti të plagosurit e aksidentit tragjik në ndodhur në fshatin Dom të Komunës Gjegjan, ku humbën jetën 14 persona, mes tyre dhe fëmijë. Gati i gjithë qyteti kishte dalë në sheshin kryesor përpara spitalit, duke krijuar përshtypjen se Puka ishte në një ditë morti. Pasditen e aksidentit, mbi qytezë kishin dalë re të zeza, që dukeshin se ishin ulur mbi tarracat e pallateve. Njerëzit në heshtje, me sytë nga rruga, prisnin ambulancat. Heshtja prishej vetëm nga zhurma e helikopterëve dhe sirenave të autoambulancave, që sillnin të plagosurit, që më pas dërgoheshin për në kryeqytet.
Pas aksidentitNjë ditë pas aksidentit, në vendin ku është përmbysur autobusi, shikon copëza xhamash të thyer, këpucë, sende personale të shpërndara gjithandej. Madje ekspertët e grupit hetimorë porosisin reporterët dhe operatorët të bëjnë kujdes se mos shkelin mbi organe njerëzish. Mëngjesin e së dielës ka pllakosur heshtja. Zhurma e ambulancave dhe helikopterëve që uleshin dhe ngriheshin pa pushim, duket e largët. Pas nxjerrjes së të aksidentuarve, forca të shumta të policisë kanë qëndruar deri në orët e vona të natës në vendin ku u përmbys autobusi.
#