KE nuk komenton grevën, por kërkon që Kodi Zgjedhor të jetë gjithëpërfshirës
Shaban Sulçe
Komisioni Europian vlerëson se Kodi i ri Zgjedhor duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe se përbërjet e komisioneve zgjedhore duhet të miratohen pas një debati të hapur në mes të të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet e vitit 2009 të mos kontestohen nga askush. E pyetur nga një televizion shqiptar se si vlerësohet klima aktuale politike në vend, zëdhënësja e Komisionit Europian, Christiane Hohmann, u përgjigj: “Ju e mbani mend se Komisioni Europian ka mirëpritur klimën e dialogut mes partive kryesore politike që çoi në miratimin e një sistemi të ri zgjedhor në Shqipëri. Dhe ne presim miratimin e këtij Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës dhe transparent që do të mundësojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është këndvështrimi ynë që ky kod të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe që të mundësojë që procesi i zgjedhjeve të zhvillohet nën kushtet e besimit në mes të gjitha partive politike, në mënyrë që zgjedhjet, por edhe rezultati i zgjedhjeve, të mos kontestohet".
Greva
Komisioni Europian nuk ka komentuar mbi grevën e deputetëve dhe kryetarëve të disa partive të vogla në Parlament dhe as mbi detajet teknike të Kodit Zgjedhor që sollën në këtë situatë. Por mesazhi i qartë i Komisionit synon vetëm mbarëvajtjen e procesit madhor të zgjedhjeve.
“Ne nuk synojmë të ndërhyjmë në bisedimet e brendshme teknike që po zhvillohen aktualisht në Parlamentin Shqiptar përsa i përket përbërjes së Komisioneve zgjedhore. Përbërjet duhet të jenë subjekt të një debati të hapur në Parlament në mes të gjitha partive politike. Dhe Parlamenti është vendi i duhur për debatin dhe për ushtrimin e influencës demokratike”, - tha znj. Hohmann. Edhe ambasadori britanik në Tiranë u shpreh dje se konsensusi është zgjidhja më e mirë e problemeve politike shqiptare.
Media ndërkombëtare
Mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar shumë rëndësi në raportimet e tyre grevës së shpallur nga 10 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për mbrojtjen e votës së lirë. Agjencitë prestigjioze Reuters, Associated Press, Global Press, Herald Tribune, Agjencia e lajmeve italiane ANSA, Agjensia Zyrtare e Lajmeve Kineze Xinhua, Tajvan News, Southern Europe Times, Balkan Inside, World Bulletin, Macedonian on-line, JAVNO-Kroate, Star Gazete, organ shtypi turk, etj. kanë renditur si lajme të para në politikën e tyre editoriale të gjithë panoramën e grevës së urisë së dhjetë deputetëve shqiptarë, si ndërmarrje pa precedent në arenën ndërkombëtare politike.
13 Nentor 2008