E Diel, 1 Nëntor 2026

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Kodi të miratohet me konsensusin e të gjitha forcave politike



Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) ka reaguar ndaj grevës së urisë që kanë ndërmarrë 10 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Në një deklaratë për shtyp, KSHH ka bërë të ditur se miratimi i Kodit Zgjedhor duhet të bëhet me miratimin e të gjitha forcave politike, si dhe të jetë një proces gjithëpërfshirës.
“Për KSHH-në është e qartë se ndryshimet në Kodin Zgjedhor miratohen me 3/5 e deputetëve. Megjithatë, KSHH-ja shpreh qëndrimin e tij se në rastet kur bëhet fjalë për miratim të një dokumenti me rëndësi jetike, siç është Kodi Zgjedhor, ka rëndësi jo numri i votave, por konsensusi i gjerë politik.
KSHH-ja u bën thirrje forcave politike t’u japin fund gjuhës së urrejtjes, të çtensionojnë situatën politike, të ulen në tavolinën e diskutimeve për çështje me rëndësi dhe të kontestueshme në projektin e Kodit Zgjedhor. KSHH-ja shpreh besimin se klasa politike shqiptare do të gjejë gjuhën e bashkëpunimit dhe të dialogut për miratimin e Kodit Zgjedhor, do të ofrojë një frymë besimi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë të lira, të ndershme, demokratike dhe të pakontestueshme nga asnjë forcë politike. Dialogu dhe konsesusi, dhe jo gjuha e urrejtjes, do të kontribuojnë në integrimin e shpejtë të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike”, - thuhet në deklaratën për shtyp të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›