PS: Greva e deputetëve, vendim i gabuar politik
Ka ardhur dje reagimi i parë publik i Partisë Socialiste në lidhje me grevën që kanë ndërmarrë 10 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë për hartimin e Kodit të ri Zgjedhor. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, e cilësoi vendim të gabuar politik futjen në grevë urie të deputetëve të LSI-së, PDK-së dhe PS 91. Por një reagim suprizë dje ka qenë nga deputetja e Partisë Socialdemokrate Angjelina Kola, e cila ka dalë në mbështetje të grevës së urisë së 10 deputetëve të Kuvendit. Kola tha se solidarizohet me kolegët e saj grevistë dhe se mbështet çdo nismë që synon mbrojtjen e votës së lirë. Deputetja e PSD-së theksoi se vendimi për solidarizimin e grevës së urisë është një vendim personal dhe jo në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate. Në mbështetje të grevës së urisë ka dalë edhe ish-deputeti i PS-së, aktualisht deputeti i grupit parlamentar “Grupi i Qendrës”, Durim Lamaj.
Ai shprehu mbështetjen dhe solidaritetin e tij për deputetët e futur në grevë urie. Ai i konsideroi të drejta kërkesat e tyre dhe tha: “Edi Rama ta ketë të qartë që LSI-ja është forca e dytë pas PS-së, prandaj një komisioner nga e majta i takon patjetër”.
13 Nentor 2008