KE, proçedura kundër qeverisë së Hungarisë

Komisioni Europian ka shtuar paralajmërimet për veprim juridik kundër Hungarisë, lidhur me politikat e reja, që sipas legjislacionit të Bashkimit Evropian mund të jenë të paligjshme.
Hungaria ndodhet nën presionin e Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për shkak të miratimit të një Kushtetute të re, që vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë frikë se shkel pavarësinë e gjykatësve, bankës qendrore dhe të agjencisë së mbrojtjes të të dhënave.
Kushtetuta e re hyri në fuqi pak javë pasi Hungaria bëri kërkesë për ndihmë financiare nga BE dhe FMN.
Që të dyja institucionet ndërprenë bisedimet paraprake për një paketë ndihme në dhjetor, pasi shprehën shqetësimet që ato mund të rrezikonin pavarësinë e bankës qendrore hungareze, e cila është sanksionuar në traktatet e BE-së.
Komisioni bëri të ditur sot nëpërmjet një deklarate se sapo përfundojë analiza në ditët në vijim, do të përdorë gjithë fuqinë e vet për të analizuar përshtatshmërinë e ligjit kombëtar me atë të BE-së. Në deklaratë gjithashtu thuhet se Komisioni nuk do të hezitojë që të nisë procedura kundërvajtje kundër qeverisë së Hungarisë.
Në deklaratë thuhet se Komisioni do ta japë vendimin e tij gjatë takimit të javës së ardhshme.