E Shtunë, 31 Tetor 2026

KEK-u premton kompensimin e taksës së RTK-së për 10 muajt e fundit

Prishtinë, 19 gusht - Vonesa prej 10 muajsh e Korporatës Energjetike të Kosovës për të njoftuar konsumatorët për paratë e inkasuara në dobi të Radiotelevizionin e Kosovës, ka shkaktuar konfuzion tek konsumatorët, të cilët ndërkohë kanë paguar faturat e rrymës dhe bashkë me këtë dhe shumën prej 3.5 eurosh-taksë për RTK-në. Kjo taksë inkasohej nga KEK-u deri në tetor të vitit 2009, ndërsa pas kësaj date është dashur të ndërpritet kjo praktikë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Zyrtarë të KEK-ut  kanë konfirmuar se kanë ngurruar ta zbatojnë me kohë vendimin e Gjykatës, por kanë këmbëngulur që konsumatorët nuk do të dëmtohen si pasojë e kësaj vonese. Kastriot Dushi, zyrtar në KEK, ka thënë për Kohën Ditore se të gjitha mjetet që konsumatorët mund t’i kenë paguar në emër të taksës së RTK-së, pas tetorit të vitit 2009, do t’iu kompensohen, duke ua zbritur nga faturat e energjisë elektrike.
“Vendimi fillestar i Gjykatës Kushtetuese, i datës 16 tetor të vitit 2009, parashikonte se do të ketë një vendim shtesë deri në dhjetor të vitit 2009. Prandaj KEK-u ka hezituar të ndërmarrë ndonjë hap brenda një afati kaq të shkurtër. Sidoqoftë, me vendimin tjetër të Gjykatës Kushtetuese të korrikut të vitit 2010, KEK-u ka besuar se ka bazë të mjaftueshme ligjore për të ndërmarrë këtë veprim”, ka thënë Dushi.
Ai po ashtu ka përsëritur se taksa prej 3.5 eurosh nuk është pjesë e faturave të KEK-ut, pas vendimit të Gjykatës. Shumën e borxheve të zbritura pas këtij vendimi nga fatura e rrymës në lartësi prej 38 milionë eurove konsumatorët do t’ia paguajnë më vonë RTK-së. Ndërkaq shuma maksimale e zbritur e borxhit për një konsumator, sipas Dushit, është 248 euro, pra për ata që asnjëherë nuk kanë paguar fatura të energjisë elektrike.
KEK-u ka qenë i ngarkuar të faturojë dhe inkasojë taksën e RTK-së për konsumatorët e tij nga nëntori i vitit  2003. Por, më 16 tetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka sjellë vendim mbi pezullimin e faturimit dhe arkëtimin e taksës së RTK-së në faturat e energjisë elektrike. Zyrtarë të kësaj ndërmarrjeje kanë pohuar se të njëjtën datë ata kanë kalkuluar diferencën mes taksës së faturuar dhe të inkasuar të RTK-së. Kjo diferencë, ose shuma e inkasuar e taksës së RTK-së konsumatorëve nuk u është dërguar atyre deri në muajin gusht të këtij viti. 
Sa u përket konsumatorëve të cilët i kanë paguar të gjitha borxhet, por që kanë marrë njoftim se i detyrohen RTK-së, zyrtarë të KEK-ut thonë se një gabim i tillë mund të ketë ndodhur, pasi që shumica e konsumatorëve nuk e paguajnë vlerën totale të faturave të tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›