E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi nuk do të ndryshojë asnjë fjalë të rezolutës për shkak të Brukselit

Beograd, 19 gusht – Teksti i rezolutës serbe për Kosovën për të cilën nga mesi i shtatorit do të debatohet në Asamblenë e Përgjithshme të KB, nuk do të ndryshojë as për një shkronjë, raportojnë sot mediet serbe, duke u mbështetur në burimet nga kreu i koalicionit qeverisës në Serbi. Kështu është vendosur, shkruan gazeta serbe “Blic”, në nivelet më të larta me gjithë vërejtjet nga Brukseli, por edhe ndarjet evidente në koalicionin qeverisës rreth rezolutës.

Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, kryeministri Mirko Cvetkoviq, nënkryetarët e qeverisë, Bozhidar Gjeliq dhe Ivica Daçiq, si dhe ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, në tërësi janë të pajtimit se përmbajtja e rezolutës është zgjidhja më e mirë e mundshme dhe se nuk duhet pranuar kërkesat e SHBA-së dhe të anëtarëve më me ndikim të BE-së që teksti të pësojë ndryshime qenësore.

Vendet e Quintit i kanë tërhequr vërejtjen Beogradit nëpërmjet rrugës diplomatike se rezoluta serbe për Kosovën nëse nuk do të ndryshohet, do të ngadalësojë integrimet e Serbisë në BE. Këto njoftime kanë shkaktuar papajtueshmëri në koalicionin qeverisës. Sipas “Blic” në njërën anë është SPO, G17 + dhe intimisht një pjesë e DS. Ky grupacion angazhohet për gjetjen e kompromisit dhe “zbutjen” e rezolutës. Në anën tjetër, zyrtarë të DS-së dhe SPS-it mbeten konsekuentë që rezoluta nuk duhet të ndryshojë. Por, sipas gazetës serbe, e cila thirret në një burim të afërt me grupacionin që është për kompromis, demokratëve u ka shkuar për dore që të “mbulojnë” ndasitë, në atë mënyrë që është lejuar formula “pajtohemi se nuk pajtohemi” dhe askujt nuk do t’i shihet për të madhe paraqitja e qëndrimit të vet.

“Kreu i Serbisë llogaritë në dy epiloge të mundshme. I pari është ai që Asambleja e Përgjithshme të miratojë rezolutën, që ka fare pak gjasa dhe të shpallë fitoren e tyre. Epilogu i dytë, i cili është më shumë i mundshëm, është që anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të KB të kundërshtojnë rezolutën, dhe pas kësaj ata do t’i thonë popullit që kanë bërë gjithçka që ishte e mundur”, raporton “Blic”.

Në qarqet diplomatike në Bruksel theksojnë se pas Mendimit të GJND-së po mungon durimi dhe mirëkuptimi për politikën serbe ndaj Kosovës. Në grupin e Kontaktit theksohet se Serbia në vitet e shkuara nuk ka fituar kurrfarë pikësh për shkak të Kosovës në vendet e BE-së, përkundrazi ka humbur përkrahjen për shpejtimin për t’u ofruar me BE-në.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›