E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita kërkon të kundërshtohet modifikimi i draftrezolutës së Serbisë

Prishtinë, 19 gusht – Tri partitë opozitare: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që të kundërshtojnë çfarëdo modifikimi të mundshëm të draftrezolutës së Serbisë, e cila mund të prezantohet më 14 shtator në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan sot në një tekst më të gjatë gazeta Koha Ditore.
Sipas gazetës, përgjigjja e Qeverisë së Kosovës për kërkesën opozitare ka qenë që kundërshtimi i modifikimit eventual të draftrezolutës serbe është çështje brenda skemës së koordinimit me partnerët ndërkombëtarë.    
Opozita kosovare modifikimin eventual të draftrezolutës serbe e ka parë si maskim që Beogradi zyrtar mund t’u bëjë aspiratave reale në raport me Kosovën. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka thënë të mërkurën se fqinji verior kundruall Kosovës në vazhdimësi nuk e ka ndryshuar qëllimin.
Zëvendëspresidentja e AKR-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të kundërshtojnë secilin modifikim të draftrezolutës serbe. 
Nënkryetari i LDD-së, Lulzim Zeneli, ka ngulur këmbë se pavarësisht ndonjë modifikimi intenca e vërtetë e Serbisë është që ta kthejë në shqyrtim statusin e Kosovës.
“Kosova duhet të kundërshtojë fuqishëm çfarëdo draftrezolute që vjen nga Beogradi. Serbia mëton tash që t’i gjejë deriçkat për ta shfrytëzuar mundësinë pas Mendimit të GJND-së, për të hyrë në negociata siç po pretendon”, ka thënë nënkryetari i LDD-së.
(Gjërësisht në gazetën e sotme Koha Ditore)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›