KEK-u, vetëm për fitore

Ndeshja ndërmjet KEK-ut dhe Besës, e cila zhvillohet të shtunën në stadiumin ‘Agron Rama’ në Kastriot, e hap xhiron e njëzetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Njëherësh ky takim pritet të jetë mjaft interesant, pasi të dyja këto ekipe i karakterizon fakti se aplikojnë lojë të hapur dhe të pëlqyeshme për shikues.
KEK-u nuk e ka nisur aq keq stinorin pranveror, kur dihet se në dy ndeshjet e para ka luajtur si mysafir. Fillimisht ‘elektricistët’ befasuan kur në Prishtinë e mposhtën Flamurtarin, por një javë më vonë ata pësuan humbje në Merdarë nga Hysi, i cili për atë fitore u deshtë të djersitet bukur shumë.
Ndërsa ndeshjen e parë të këtij sezoni që KEK-u do ta zhvillojë në shtëpi është kjo e së shtunës ndaj Besës. Andaj, ekipi bardh e gjelbër synon ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit dhe t’i fitojë tri pikë të reja në duel me pejanët, sepse kjo skuadër fare lehtë mund të përfshihet në luftë me disa ekipe tjera që po luftojnë për mbijetesë.
“E respektojmë Besën, e cila ka ekip të mirë dhe traditë në futbollin tonë. Nuk do ta kemi aspak lehtë. Por, ne synim të vetëm e kemi fitoren, për t’iu shmangur fundit të tabelës, sepse në xhirot e ardhshme e kemi një orar mjaft të vështirë. Jemi të motivuar dhe duam patjetër të fitojmë”, tha për Express futbollisti i KEK-ut, Qëndrim Sejdiu, i cili po kalon nëpër një formë mjaft të mirë.
Në anën tjetër, Besa është e vetëdijshme se e pret një udhëtim i vështirë drejt Kastriotit, ku e pret KEK-u. Andaj, pejanët thonë se do të ishin të kënaqur edhe nëse ndeshjen e përmbyllin me rezultat të barabartë. Kështu thotë futbollisti i kësaj skuadre, Dukagjin Gashi.
“Do ta kemi vështirë, sepse kemi probleme edhe me disa mungesa. KEK-ut i nevojitet shumë fitorja për t’iu shmangur përfshirjes në luftë për mbijetesë. Prandaj për ne do të ishte i favorshëm edhe një barazim eventual”, tha Gashi.
KEK-u aktualisht gjendet në vendin e shtatë të tabelës me 25 pikë të tubuara, pesë më pak sesa Besa, e cila me 30 pikë pozicionohet në vendin e tretë.
Takimet tjera të kësaj jave zhvillohen të dielën, derisa ballafaqimi më interesant pritet të jetë ai ndërmjet Flamurtarit të rrezikuar dhe Hysit, i cili akoma po shpreson në titullin e kampionit.
Superliga – Xhiroja e 20-të
E shtunë
KEK-u – Besa
E diel
Trepça – Vëllaznimi (12:00)
Ballkani – Prishtina
Trepça ’89 – Drenica
Ferizaj – Liria
Flamurtari – Hysi
Përveç takimit Trepça – Vëllaznimi, ndeshjet tjera zhvillohen prej orës 14:00