E Shtunë, 31 Tetor 2026

KENDVESHTRIMI EUROPIAN DHE E VERTETA PER MOSHEQJEN E VIZAVE

"Serbia është treguar një partnere aktive dhe e besueshme në realizimin e detyrimeve të saj, për rregullat që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave", u shpreh Rehn, komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, më 11 qershor 2009, duke paralajmëruar heqjen së afërmi të regjimit të vizave me këtë shtet, sikundër ndodhi; Shqipëria ka bërë progres, por kanë mbetur pa u kryer ato e këto... bëjini dhe ejani, jeni të mirëpritur. Ky është këndvështrimi europian, i parë jo vetëm me sytë e Olli Rehn. Pra, Serbia pa viza dhe më pas në BE, ndërsa shqiptarët në geton e tyre. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, duhej të vinte dhe shfaqja servile e pushtetit ndaj evropianëve që keqardhja e shqiptarëve të shtyhet më tutje. Thuhet se do jetë punë muajsh e gjithçka do të rishihet, por nuk është e besueshme. Qofsha i gabuar, por kam frikë se është pothuajse e njëjta gjë si me Turqinë, që prej 30 vjetësh i është premtuar dhe ajo pret të hyjë në BE.

Europianët e tashëm, jo të gjithë e dinë se kufijtë e përcaktuar nga Europa, kanë lënë vraga në shpirtin shqiptar dhe aty-këtu, tek individë e personalitete të kombit tonë, edhe një përçmim të thellë. Që tokat shqiptare ju dhuruan serbëve e grekëve, te ne nuk u harrua kurrë dhe shpresa e një bashkimi nën një flamur, jo që nuk u fashit, por mbeti e fshehur dhe e paprekur në shpirtrat tanë. Të moçmit na kishin thënë se që Shqipëria të jetojë, ajo duhet të bashkohet. Shqipëria e bashkuar do të ishte fillimi i perëndimit të paragjykimeve, por nuk na lanë. Personalisht nuk kam gjë me serbët. Ata mund t‘i urresh për luftërat e ndyra që bënë në Ballkan dhe gjenocidin që ushtruan kundër popullit shqiptar e atij boshnjak, mund t‘i diskutosh për nacionalizmin e urryer e krimet që bënë si popull në emër të këtij nacionalizmi, mund t‘i vlerësosh apo jo për zhvillimin e sporteve, por nuk mund t‘i injorosh si komb e rolin e tyre në këtë cep të botës. E meritojnë apo jo të shkojnë në shtetet europiane pa viza, e dinë Hirësitë e Tyre Europiane. Shumica e popullit shqiptar, përgjatë kësaj pritjeje të gjatë, të ngadaltë, i etur e besues për lëvizje të lirë, e ktheu atë në një ëndërr, sidomos për brezin e ri, së cilës Shqipëria nuk i ofron ndonjë gjë të madhe për të ardhmen e tyre. Po qëndroj tek ëndrra e shqiptarëve, si pjesë e komb i vjetër i Europës, për të lëvizur të lirë, duke u përpjekur ta reduktoj problemin në pyetjen, pse nuk duan apo pse nuk na do ne Europa të shkojmë tek ata pa viza? Unë e dua Europën, kulturën e shpirtin e saj, botën e hapur që ajo shfaq, ndaj as kam ndërmend të marr pozat e ndonjë patetisti, por po më shndërrohet në bindje se vendimet e Europës përbëjnë një përçmim të padrejtë e të rrezikshëm për një vend e popull ku njerëzit e saj kanë lënë gjurmë e ku shqiptarët e shohin veten në familjen e kombeve të qytetëruara. Ka njerëz, sfera të shoqërisë e politikës europiane, që e duan Shqipërinë e shqiptarët, por ka në shumicë të tillë që dhe nuk na duan. Janë një pjesë e vogël, por jo përcaktuese që nuk na do, mbase për shkak të shumicës tonë myslimane. Ata as që e dinë se sa pak ndikuese është ky besim në jetën e shqiptarit. Askush nuk di t‘iu thotë se sa Besima, Hasana, Hysena, Bajrama e Kambera nuk i përmbahen parimit se njeriu është krijesë e Zotit, por, mbi të gjitha, bashkëjetesa e tre feve në Shqipëri është e ka qenë kurdoherë e prekshme dhe e verifikueshme. Popull "i pazhvilluar", po luftë fetare ama nuk kemi bërë, ndërsa populli "i kulturuar e demokrat" irlandez gëloi për dekada nga lufta e katolikëve e protestantëve. Ja këta jemi ne, që dje na u mohua hyrja pa viza në vendet e BE-së.

A ju kujtohet lexues i nderuar se sa lehtë e morën shqiptarët, këtej e andej kufirit, sajesën e shëmtuar se në luftën e Kosovës, në territorin shqiptar ishin ngritur klinika që merreshin me trafikun e organeve të serbëve? E morëm lehtë ne dhe me të drejtë e kaluam duke qeshur, por nuk e mori lehtë prokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, e cila, nëpërmjet botimit të një libri, ua dha si fakt të kryer evropianëve, nga ku dashakeqësit tanë, duke i stisur me kënaqësi si të vërteta, nxituan të na akuzojnë si të pabindur ndaj civilizimit, të na shohin ende si popull primitiv e të ashpër. Jemi mësuar ne të mbajmë mbi shpinë peshën e të gjitha llojeve të akuzave, fillimisht si respekt ndaj më të fortit dhe më pas si refleks të pasivitetit që hashashi otoman na rrënjosi. Besoj se është kjo arsyeja që Kryeministri i Shqipërisë, një baba krenar, që arriti të shohë se fëmijët e tij, falë aftësive për të bërë diçka në jetë, u pasuruan, nxitoi t‘i thoshte "Deutche Welle" se nuk e priste që bijtë e bijat e Shqipërisë të përfshiheshin në listën e bardhë të Shengenit. Dhe e thotë këtë pa u mbushur një muaj nga fushata elektorale, ku heqja e vizave u përdor deri në inflacion si motiv për fitoren e partisë. Ky Kryeministër i pasigurt në bindjet e tij, duhej të ishte subjekti i një aksioni të ashpër për tërë ambientin diplomatik, sepse e di mirë që në atë stad ku ndodhet Shqipëria me pasaportat biometrike, po në atë stad është pothuajse edhe Serbia. Pra nuk është ky një nga shkaqet.

Gjatë tërë këtyre ditëve janë bërë orvatje të komentojnë vendosmërinë e Europës për të mos i lejuar shqiptarët në vendet e tyre pa viza, disa pro e disa kundër, disa me shpjegimin se është shenjë e dashurisë dhe disa me qëndrimin se është thjesht urrejtje. Shikoni se çfarë paradoksi shfaqet tashmë para hartës politike europiane! Shqipëria, anëtare e NATO-s, me detyrimin statutor të këtij organizmi ushtarak që të mbrojë lirinë e vendeve europiane, por pa të drejtë që populli i saj të lëvizë brenda tyre?! Të turbullt, të mjerë e të depresuar, shtrëngohemi të dëgjojmë se ç‘thotë Europa dhe të shohim se me çfarë petku moral e material i mbulon ajo vendimet. As që bëhet fjalë se mund të mbahet qëndrim tjetër, pos atij të një nxënësi që duhet të mësojë bindjen civile, por ne, shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, guxojmë të shpresojmë. Të njëjtën shpresë ushqen edhe Bosnjë-Hercegovina, ku paradoksi shtrihet deri në komicitet. Së pari, se vendimi që viktimat boshnjake të mos lejohen pa viza në Europë ndërsa agresorët serbë po, përkon me përvjetorin e korrikut të masakrës së Srebenicës, ku u përfshi i gjithë populli serb, përfshi dhe Kishën Ortodokse Serbe (nuk besoj se ka kaluar aq kohë sa për të harruar krimet e serbëve ndaj boshnjakëve e shqiptarëve). Së dyti, kroatët boshnjakë kanë edhe pasaporta kroate dhe serbët boshnjakë kanë edhe pasaporta serbe, kështu që nuk janë të lirë për të lëvizur vetëm boshnjakët-boshnjakë. Do shohim se si do jepen ditë më pas, shembuj pas shembujsh, shpjegime europiane se lëvizja pa viza e serbëve, malazezve dhe maqedonasve do t‘i shërbejë bashkëpunimit rajonal, kur kushdo, me aftësi mesatare vëzhgimi, është i aftë të shohë (më pas do të jetë e prekshme) se do shtrihet e aplikohet izolimi rajonal ndaj shqiptarëve.

Po pse ne jemi në NATO e nuk mund të jemi në Europë? Mos e lodhni trurin kot. Nuk ia vlen. Shpjegimi më i thjeshtë është se në NATO pozitën zotëruese e vendimmarrëse e kanë SHBA, le të themi jo miq, por dashamirës të popullit tonë. Ato nuk na kanë paragjykuar asnjëherë. Është influenca e saj që na futi në NATO. Nëse ndokush dyshon ende për këtë, le t‘i hedhë një vështrim të shkurtër marrëdhënieve të saj me Europën e vendin tonë. Që nga Dejtoni, u pa qartazi se besimi i Uashingtonit në aftësitë e Brukselit për zgjidhjen e problemeve europiane, ishte i lëkundur. Krerëve të këtij shteti të madh ne shqiptarët duhet t‘u ngremë piedestale. Në këtë hije të mugët europiane për shqiptarët, dallon zëri italian, "avokati ynë". Po a ka vallë aq peshë e forcë zëri i Franko Fratinit që të ngrihet mbi ata zëra, të gabuar por përcaktues, gjermanë e francezë, që e shohin sikur Shqipëria fillon e mbaron tek emigrantët, sikur ata të ishin njerëzit përfaqësues të vetë Shqipërisë? Për më tepër, Franca dhe Gjermania janë shprehur kundër zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian, ndërsa Shqipëria s‘ka pse të ndjehet fajtore nëse pret e pranon ndihmë. Në fillim të shekullit të 20, kur SHBA-të i kishin dyert e emigracionit të hapura filluan të protestonin keqazi ardhjen e emigrantëve italianë, duke thënë për ta se janë mafiozë e kriminelë, kanë fe tjetër, të njëjtat gjëra që thonë për ne sot europianët dhe të gjithë e dinë se ishin italianët që ndërtuan Amerikën dhe përçuan aty kulturën e tyre.

Olli Rehn u ra këto ditë rreth e qark vendeve të rajonit në një tur, ku nuk ka planifikuar ndalesë përpos në Shqipëri e Kosovë. Me këtë na dërgon mesazhin se e njeh dhe e di epërsinë e vet. Që të mos i krijohet përshtypja e gabuar lexuesit sikur po nxitohemi në përcaktimet e këtij shkrimi, (Zot na ruaj) po i sjellim atij thënien më të freskët të ish-përfaqësuesit të lartë për Bosnjën, Christian Schwarz Schilling, dhënë në intervistën për "Bild": "Heqja e vizave për Serbinë është turpi më i madh i BE-së deri tani. Me këtë veprim, BE-ja po shpërblen vrasësit e Srebenices, që kryen gjenocidin më të rëndë pas Luftës së Dytë Botërore në Europë".

Sa për mua, fakti se Shqipëria, e vendosur midis këtyre dy fqinjëve ekziston, duhet të na mrekullojë. Në këtë vend është parë të lulëzojë nga ambasadat biznesi më i çuditshëm, ai i vizave. Nuk besoj se shqiptarët e njihnin nenin 2 të protokollit 4 të Konventës Europiane që thekson se "...gjithkush është i lirë të largohet nga çdo vend...", kur iknin drejt Europës me mënyra joligjore. Unë nuk kam pasur fatin të njoh ndonjë shqiptar që ka dashur të ikë për në Europë dhe s‘ka mundur. "Edhe Zot në qofsh, ne do të gozhdojmë i thanë Jezu Krishtit. Dhe e bënë" (Miti i shkatërrimit).



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›