E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, 4 drejtorë në pranga

• Filiali i KESH-it në Durrës tronditet nga arrestimet e personave “VIP”.DURRES/ OERD ULQINIKatër drejtues të lartë të këtij institucioni janë prangosur vetëm pak orë pasi togat e zeza të gjykatës vendosën ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”. Në qeli kanë përfunduar Dëfrim Lakra, Plator Mehmeti, Llambi Karamani dhe Pandeli Bega. Të gjithë të arrestuarit kanë kryer detyra drejtuese në Degën Rajonale të Korporatës nga viti 2003 deri në vitin 2006. Operacioni i koduar “Voltazh” ishte përfundimi i një procesi të gjatë hetimor, ku katër të arrestuarit dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën kundrejt shumave të majme që subjektet e privilegjuara u kanë paguar nën dorë. Hetimet kanë nisur afro një vit më parë dhe si pikënisje e tyre shërbeu një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili kreu një inspektim të befasishëm në zyrat rajonale të KESH-it. Burimet saktësojnë se inspektorët e KLSH-së, pasi konstatuan shkelje flagrante të ligjit për sa i përket pabarazisë në tenderë, depozituan denoncimet e tyre në Prokurori dhe në Drejtorinë e Policisë së Qarkut. Që të dyja këto struktura nisën hetimet paralele, duke kërkuar transparencën e të paktën pesë tenderëve të kryera në harkun kohor 2003-2006. Bëhej fjalë për investime të konsiderueshme në KESH, si shtrim i rrjetit 20 kilovolt dhe i kabllove të tjera të tensionit të lartë, montim transformatorësh, vendosje matësish familjarë, si dhe riparime të ndryshme në sistemin elektrik të qytetit. Burimet policore shprehen se të gjitha këto investime duhej të kapnin një vlerë prej 6 milionë eurosh, por ato janë kryer “nën kosto”, duke sjellë përfitime financiare në shuma të mëdha për të arrestuarit, të cilët kanë firmosuar në procedurat e zhvilluara. Mbi të gjitha, sipas hetuesve, janë shkelur të drejtat e barazisë së subjekteve përpara një gare të barabartë. Tenderat janë paragjykuar duke përbërë në vetvete vetëm një farsë, pasi kompanitë sipërmarrëse ishin paracaktuar. Plator Mehmeti me detyrë ish-kryeinxhinier i korporatës në qytetin bregdetar, Pandeli Bega përgjegjës i zyrës teknike, Llambi Karamani dhe Dëfrim Lakra, që të dy këta të fundit drejtues të filialit të KESH-it në Durrës, janë arrestuar në mesnatë pas një operacioni “blic”. Nga hetimet e kryera rezultoi se shtetasit në fjalë duke kryer funksionet e sipërcituara kanë abuzuar në kryerjen e tenderëve, duke shkaktuar dëme në vlera të kolosale. Këta shtetas janë shpallur në kërkim në datën 10 mars të vitit 2008, pasi Gjykata e Rrethit Durrës me vendim të formës së prerë, ka përcaktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”. Abuzimet janë zhvendosur në kohë dhe në të janë përfshirë dy ish-drejtues të lartë të Korporatës. Të pandehurit: Pse na arrestoni? Raporti me tenderët fiktivë i KLSH-së është mbajtur “top-sekret”, për të mos penguar ecurinë e hetimeve, derisa në bazë të fakteve gjykata ka vendosur të presë fletë-arrestet. Arrestimi i katër shtetasve është kryer thuajse njëkohësisht. Katër furgonë të policisë janë nisur në drejtime të ndryshme për të ekzekutuar urdhër-arrestet. Asnjeri nuk ka bërë rezistencë, ndonëse ata janë shprehur të çuditur për arrestimin e befasishëm, duke u kërkuar bluve shpjegime. Dëfrim Lakra- 62 vjeç, i padënuar më parë- Lindur në Berat, banues në lagjen 4 Durrës- Arsimi i lartë- Drejtues i degës së KESH në Durrës në vitet 2005-2006- Akuza: “shpërdorim detyre”Llambi Karamani- 52 vjeç, i padënuar më parë- Lindur në Durrës, banues në lagjen 11 Durrës- Arsimi i lartë- Drejtues i Degës së KESH në Durrës në vitet 2003-2005- Akuza: “shpërdorim detyre”Plator Mehmeti- 39 vjeç, lindur në Durrës, banues në lagjen 1 Durrës- Arsimi i lartë- I arrestuar më parë për prishje të objekteve publike, por u shpall i pafajshëm nga gjykata- Nëndrejtor i degës së KESH-it në Durrës vitet 2004-2005- Kryeinxhinier i degës së KESH në vitet 2005-2006- Akuzat: “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë në tendera, apo ankande publike” Pandeli Bega- 38 vjeç, lindur e banues në Durrës- Arsimi i lartë - Përgjegjës i zyrës teknike të degës së KESH në vitet 2005-2006- Akuzat: “shpërdorim detyre”, “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›