E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika virtuale, 8 marsi si 1 prilli!

• Rexhep MeidaniPrej kohësh në Shqipëri, por jo vetëm aty, politika është bërë tepër virtuale. Në përmasa kohore të pranueshme, në kohë fushatash, natyrisht nuk ka ndonjë të keqe aq të madhe, edhe pse disa fytyra të përditshme janë bërë më shumë se të bezdisshme e të mërzitshme për teleshikuesin shqiptar. Të kuptohemi jo atë militant! Sidomos kur gënjejnë, mashtrojnë, “llapin” apo bërtasin pa turp e pushim... Normalisht, problemi bëhet ...shumë më tepër shqetësues kur këtë politikë virtuale e zhvillon pushteti ekzekutiv, dhe mbi të gjitha vetë shefi i tij.  Dhe kjo, kur të qenët në ekzekutiv në Shqipëri (ende një vend problematik, me një shkallë të lartë abuzimi e shkelje ligji, me një nivel të lartë korrupsioni administrativ-qeverisës dhe me një ekonomi tepër të brishtë e informalitet të lartë), do të thotë shumë, nënkupton angazhim të madh, kohë të shfrytëzuar me nikoqirllëk, ndershmëri e kontroll të përditshëm, dhe mbi të gjitha respekt të fjalës së thënë apo të premtimit të dhënë, etj., etj. Por dhe seriozitet financiar e sinqeritet njerëzor, fare pa zhurmë, por ama të lexueshëm dhe të ndjerë nga qytetarët. Në fakt, po përjetojmë krejt të kundërtën. Gjithçka është virtuale, bile e keqja më e madhe është se ky virtualitet po bëhet dita-ditës edhe më intensiv e agresiv, më euforik e pompoz. Duket sikur mund të shtyhet kështu dhe mund të mashtrohen qytetarët neutralë. Por, nuk duket të ketë ndodhur kjo, sepse këta qytetarë janë tashmë aq të pjekur për ta kuptuar mirë një gjë të tillë. Aq më shumë që “xhepi” i tyre, veçanërisht muajt e fundit, po flet (në boshatisje) gjithnjë dhe më qartë!...* * *Sidoqoftë ky virtualitet nuk shfaqet vetëm për probleme konkrete të qeverisjes, për të mbuluar paaftësinë dhe mjaft dështime të saj, por dhe për të “avulluar” sa më shumë mendjet ndjekëse nga shqetësimet e ditës së qytetarëve, shqetësime që, realisht, vijnë e po rëndohen!       Një nga pikat kulmore të këtij virtualiteti u shpalos këto ditë dhe gjatë festimeve të 8 marsit. U premtua dhe çfarë nuk u premtua, u tha dhe çfarë nuk u tha! Aq sa, edhe pa ndonjë autokritikë qoftë dhe modeste, gati-gati të krijohej përshtypja se po përjetohej diçka e ngjashme me “Rezolutën e keqardhjes”-”Sorry Resolution” (të paraqitur prej kryeministrit laburist Kevin Rudd, më 13 shkurt 2008, në parlamentin australian si kërkim falje ndaj shkëputjes me forcë të afro 100.000 fëmijëve indigjenë nga familjet e tyre!). Dukej se më së fundi ishte kuptuar gabimi “mashkullor” i politikës po mashkullore në lidhje me angazhimin tërësor të gruas në jetën politike-institucionale e social-ekonomike. Dhe, në atë çast do të ndodhte menjëherë kthesa e madhe!...        Por, me më shumë shanse vetëm virtuale, si në kohën e deklarimeve “KOP-iste”. Sepse, pse duhen pritur zgjedhjet e ardhshme, për të realizuar qoftë dhe një hap konkret?. Aq më tepër kur dihet se në kombinimin e kabinetit qeveritar, sidomos me shumicë parlamentare apo institucion dekretimi - të dyja të komanduara plotësisht-, vendimmarrjen e ka vetëm kryeministri! Atëherë pse duhej gjithë ajo retorikë virtuale apo pseudo-retorikë, kur me një fjalë të thjeshtë po para grave të ftuara, në 8 mars, mund të deklaroheshin emra grash si drejtuese të reja dikasteresh qendrore, madje jo në raporte 30%, por pse jo dhe sa gjysma e anëtarëve të kabinetit qeveritar. A nuk do të ishte ky leksioni më i mirë për të emancipuar politikën dhe veten? Aq më tepër që në këtë qeveri ka vetëm një grua ministre, madje jo në një administrim të një dikasteri të fuqishëm në kuptimin menaxherial. Apo kur nga qytetarët, po të rrish në mes të tyre, etiketohen publikisht, me emra e me gisht, moria e ministrave që praktikisht vegjetojnë!...        Dhe çudia më e madhe ishte që gratë e ftuara (me siguri dhe të përzgjedhura) në vend të kërkonin ndonjë hap konkret, disa rregullime imediate, duke filluar dhe nga ajo e menjëhershmja, fare e mundshmja për një kryeministër, u mallëngjyen dhe duartrokitën plot “entuziazëm”! Por, a mund të vazhdohet kështu duke e bërë, deri dhe 8 marsin, ditën ndërkombëtare të zërit e emancipimit femëror, një ditë njëlloj virtuale? Madje, më keq, një ditë si 1 prilli shqiptar!...   * * *Dhe së fundi, duke pritur 1 prillin, le të tregojmë dhe historinë e mëposhtme, që në një mënyrë apo tjetrën lidhet dhe me virtualitetin politik:Një çift vendosi të kalonte një fundjavë jashtë vendit për t’u larguar nga të ftohtit dhe errësira lodhëse prej ndërprerjeve të energjisë elektrike. Por meqë ngarkesën në punë e kishin të ndryshme në kohë bashkëshorti do të fluturonte një ditë më parë, të enjten, për të organizuar gjithçka, kurse e shoqja do t’i bashkohej atij të nesërmen. Kur arriti në vendin e caktuar, pasi mbylli gjithçka me hotelin dhe programin e aktiviteteve burri hapi laptopin për t’i dërguar një e-mail së shoqes. Por, kur e dërgoi mesazhin, pa e vënë re, bëri një gabim në adresën e dërgimit.      Ndërkohë, në qytetin e tij, një vejushë sapo ishte kthyer nga funerali i të shoqit, që kishte vdekur papritur nga një atak në zemër. Ai kishte qenë prej vitesh një pushtetar i lartë, që i kishte mbushur mendjen vetes (ndoshta dhe anëtarëve të familjes) që në sajë të ”lavdisë” së tij, vendi i takonte në qiell! Për këtë kishte punuar shumë dhe në mënyrë virtuale! Madje, shfrytëzonte dhe rastin më banal për të dalë, për të premtuar apo gënjyer në ekran!...      Sapo hyri në shtëpi vejusha, e ushqyer me “virtualitetin” e të shoqit, hapi menjëherë postën elektronike, në pritje të ngushëllimeve masive. Sapo lexoi mesazhin e parë, asaj i ra të fikët dhe u shtri përtokë. Djali i saj, që vrapoi menjëherë në dhomë, pa kompjuterin e hapur dhe në ekran lexoi. Për: Gruan time të dashur.Nga: Nga burri i ikur. Subjekti: Sapo arrita! Arrita dhe e zgjidha punën e qëndrimit, jo siç e prisja. Mesa shoh, tani, gjithçka është e përgatitur për arritjen tënde nesër. Në padurimin e pritjes, shpresoj që dhe udhëtimi yt të jetë pa të papritura siç ishte i imi. P. S.: Sigurisht që këtu poshtë është dhe nxehtë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›