E Diel, 1 Nëntor 2026

“Nipi më vdiq në burg nga mungesa e mjekimit”

• Të afërmit e personit të dënuar që vdiq pak ditë më parë, pretendojnë se Besnik Tatoshi ka humbur jetën si pasojë e mungesës së mjekimit.Aldo Kozarja/ ELBASANAta thonë se, i dënuari kishte kërkuar trajtim mjekësor por mjekët e burgut nuk ia kishin ofruar një gjë të tillë. “Nëse do të kurohej me ilaçet e rekomanduara, Besniku do të ishte gjallë sot”, thotë daja i të dënuarit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Petrit Balla, ka treguar gjithçka ka ndodhur me nipin e tij që humbi jetën si pasojë e sëmundjes, nga e cila vuante në burgun e Peqinit javën e kaluar.Si qëndron e vërteta e vdekjes së nipit tuaj?Ditën e enjte, në orën dy të drekës më erdhi në shtëpi inspektori i lagjes (polici) dhe më tha çfarë kishte ndodhur me nipin tim. Menjëherë mora kontakt me policinë dhe burgun e Peqinit dhe aty më treguan çfarë i kishte ndodhur nipit tim, Besnikut. Më pas jemi nisur në Tiranë, aty ku na drejtuan për të shkuar. Fillimisht ndaluam tek spitali i burgut e më pas na thanë të shkojmë tek morgu. Shkuam aty dhe morëm vesh se Besniku kishte ndërruar jetë. U interesuam për të marrë trupin por na thanë se, nuk mund ta merrnim trupin ditën e enjte, pasi duhej bërë autopsia. Pritëm gjithë natën jashtë morgut me shpresën për të marrë trupin e pajetë të djalit. Disa njerëz që ndodheshin afër nesh tek morgu në Tiranë na kërkuan para për të marrë trupin e pajetë të djalit, por gjendja e dobët financiare na detyroi që të prisnim dhe të mos paguanim ryshfet tek mjeku ligjor, i cili duhej t’i bënte autopsinë trupit të pajetë të Besnikut.A mund të na sqaroni diçka rreth sëmundjes nga e cila vuante Besniku?Që kur ka qenë dy vjeç është bërë dy herë operacion, pasi ka pasur probleme me zorrën e trashë. Ai u mjekua për këtë sëmundje dhe më pas u duk sikur ia hodhi. Kur ishte 20 vjeç nisi të punojë si bojaxhi për shkak se gjendja e familjes ishte e dobët dhe ishte i detyruar për të punuar dhe pse ishte i ri në moshë. Ai përfundoi në qeli pas një zënke që pati me një shokun  e tij të punës. E plagosi me thikë. Më pas ai ia fal këtë krim që nipi kishte kryer. E arrestuan dhe e dënuan 2 vjet arrest shtëpie, por më pas e çuan sërish në qeli pa na thënë asnjë shkak. Ndoshta prokurorët dhe gjykata kanë dashur që ne t’i jepnim para, por një gjë të tillë nuk na e mbante kurrizi, pasi jemi dobët ekonomikisht.Çfarë ndodhi më pas?Djalin e çuan në burgun e Peqinit për të vuajtur dënimin me dy vite burgim. Atje ai gjatë këtyre dy muajve ka pasur një sërë problemesh me shëndetin, por askush nga mjekët nuk e ka kuruar djalin, madje e kanë lënë atë në mëshirë të fatit. Nëse Besniku do të ishte kuruar me ilaçet e duhura për këtë sëmundje ai do t‘ia hidhte, pasi sëmundja e tij nuk ishte për të vdekur. Çfarë doli pas kryerjes së autopsisë?Fillimisht mjeku ligjor na tha se, djali kishte vdekur si pasojë e helmimit, ndërsa më pas në një kopje të autopsisë shkruhej se shkaku i vdekjes ka qenë një trompozë. Dua të theksoj se, djali ka vdekur si pasojë e lënies pas dore nga ana mjekëve të burgut të Peqinit. Ai nuk ka vdekur përgjatë rrugës për në Tiranë, por ka vdekur në qeli dhe më pas me një ambulancë trupin e tij e kanë dërguar për në morgun e Spitalit të Tiranës. I bëj thirrje qeverisë “Berisha”, ministrit të Drejtësisë e të gjithë qeveritarëve të tjerë që të vendosin drejtësi me historinë e nipit tim, pasi mjekët janë ata që e futën në dhe në moshën 24- vjeçare. Nipi im nuk ishte kriminel por ishte një djalë ende i papjekur, i cili ra viktimë e një momenti gjaknxehtësie.Çfarë kërkoni më konkretisht nga shteti?Ne do t’i kërkojmë shtetit që të dëmshpërblejë familjen e Besnikut, e cila vuan ekonomikisht. Nëna dhe babai i tij janë të papunë, madje dy nga fëmijët e sime motre janë duke vdekur nga uria. Ata që pas prangosjes së Besnikut nuk kishin çfarë të hanin. Më pas dhe ato pak lekë që merrnin nga përkrahja ia çonin atij në qeli. Gjithashtu i bëjmë thirrje Prokurorisë që të nxjerrë të vërtetën e vdekjes së Besnikut.Burgu: I dënuari u mjekua rregullishtTIRANE – I dënuari Besnik Tatoshi, i cili pak ditë më parë humbi jetën në rrethana ende të paqarta, ka dalë i gjallë nga burgu i Peqinit. Burime zyrtare nga ky institucion janë shprehur dje se, më 6 mars 2008 rreth orës 09:45 i dënuari ka pasur kriza të forta si pasojë e të cilave është vendosur nxjerrja e tij nga burgu dhe dërgimi në Spitalin e Burgjeve në Tiranë për trajtim mjekësor. “Në Spitalin e Burgjeve i dënuari është trajtuar për rreth tri orë me serume dhe qetësues të tjerë, por mjekët kanë arritur në përfundimin se sëmundja kishte avancuar saqë nuk kishte shpëtim”, thanë burimet nga burgu i Peqinit. Sipas tyte, i dënuari që ka vdekur, është dërguar në burgun e Peqinit në muajin dhjetor të vitit 2007. Prej asaj kohe deri më 6 mars 2008, i dënuari Besnik Tatoshi, sipas burimeve nga burgu, është mbajtur në një ambient të veçantë pranë infermierisë së spitalit ku ka marrë qetësues dhe ndërhyrje mjekësore në tri raste krizash që ka kaluar. Sipas burimeve zyrtare nga burgu i Peqinit, personeli mjekësor i këtij institucioni ka qenë i gatshëm dhe ka ofruar në mënyrë të vazhdueshme shërbimin e tij sa herë që i dënuari ka pasur shqetësime shëndetësore, si pasojë e sëmundjes nga e cila vuante që prej lindjes për shkak të të cilës kishte bërë dy ndërhyrje kirurgjikale.                                       t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›