E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi rrëzon alibinë e Rexhëve

• Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, “tradhtoi” dje dy vëllezërit Qamil dhe Abedin Rexhaj, duke u rrëzuar alibinë e tyre për zhdukjen e mjekut Behar Kastrati.Fatos Mahmutaj “I njoh të pandehurit, pasi kanë qenë anëtarë të shtabit tim elektoral”, mësohet të ketë dëshmuar Olldashi mëngjesin e djeshëm te Krimet e Rënda, në një seancë që zgjati vetëm pak minuta. Procesi në ngarkim të dy vëllezërve Rexha dhe nipit të largët të tyre Ibrahim Geci ka mbërritur në fund të tij, pasi u pyet edhe dëshmitari i fundit që ishte ministri Olldashi. Ky për disa seanca radhazi nuk u paraqit për të dhënë deklarimet e veta, ndërkohë gjykata konfirmonte faktin se ai kishte marrë dijeni. Seancën e djeshme, e cila nisi në orën 09:00 u pyetën fillimisht tre dëshmitarë nga Durrësi, të cilët pohuan se mbrëmjen e krimit kishin takuar të pandehurit pranë banesave të tyre në fshatin Katund i Ri. Gjatë deklarimeve dëshmitarët u ngatërruan disa herë, duke sjellë debat midis palëve. Pas pyetjes së dëshmitarit të tretë, gjykata me anë të një vendimi të ndërmjetëm shpalli pesë minuta pushim. Pas këtij pushimi që zgjati rreth 20 minuta trupi gjykues u rikthye në sallë, ku u paraqit edhe ministri Olldashi, i cili dha dëshminë e tij në lidhje me akuzën ndaj Rexhëve.Dëshmia Rrëmbimi i mjekut hasjan Behar Kastrati, i cili ishte edhe kreu i PD-së lokale, është bërë mesnatën pas 7 korrikut 2005, ndërsa trupi i tij i pajetë u gjet 50 ditë më vonë në liqenin e Fierzës, poshtë urës së fshatit Klosh. Kurse dy vëllezërit Rexha dhe Brahim Geci u prangosën në fillim të nëntorit të atij viti, në kohën kur dëshmitari i djeshëm Sokol Olldashi mbante postin e ministrit të Brendshëm. “Mbrëmjen e datës 7 korrik nuk më kujtohet të kem qenë me juve, pasi isha në Tiranë, ndërsa më datë 9 kemi qenë bashkë në Shijak”, mësohet të ketë deklaruar Olldashi para kolegjit penal pesëanëtarësh të Krimeve të Rënda. Dëshmia e tij, sipas të pandehurve do të vërtetonte para gjykatës alibinë e paraqitur nga ata që nga momenti i prangosjes. Ndërkohë Prokuroria gjatë procesit solli në cilësinë e provës dy dëshmitarë të mitur që vërtetojnë të kundërtën. Provat Sipas tyre, dy fëmijët e mitur të Flamur Kastratit, vëllait të mjekut të vrarë, pohuan se një ditë pas ngjarjes dikush i kishte marrë në telefonin e shtëpisë dhe u kishte thënë se Beharin e kishte vrarë Qamil Rexha. Organi i akuzës pohon se në orët e pasdites së 7 korrikut 2005 dy vëllezërit Rexha janë nisur nga Katundi i Ri i Durrësit drejt Hasit, ku më parë kishin siguruar informacion nga Brahim Geci se viktima kishte hyrë në lokalin e vëllait për të ndjekur një emision televiziv. Në mesnatë, sapo kishte mbaruar emisioni televiziv, persona të panjohur rrëmbejnë Kastratin para hyrjes së pallatit të tij dhe pasi e torturojnë e vrasin dhe e lidhin me tela pas dy bantierëve të betontë për ta hedhur më pas në liqenin e Fierzës. Pas kësaj, autorët, që sipas Prokurorisë dyshohet se janë vëllezërit Rexha, janë larguar me të shpejtë drejt Durrësit, ku në orët e fundit të natës ndodheshin në banesat e tyre në Katund të Ri. Madje për këtë gjatë hetimeve, Prokuroria bëri një eksperiment duke rindërtuar ngjarjen sipas deklarimeve që kishte dhënë Brahim Geci, i cili fillimisht pati statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, por e humbi atë kur pretendoi para gjykatës se dëshminë e tij në të cilën kishte ngarkuar me akuza vëllezërit Rexha, e kishte dhënë nën presion.  Dialogu Mungesa për disa seanca radhazi e mbrojtësit të Brahim Gecit u bë objekt i një dialogu me humor midis atij avokatëve të dy vëllezërve Rexha, dhe të pandehurit Qamil Rexha, pak momente para se të niste seanca gjyqësore. Avokati i Gecit pohoi se nuk kishte marrë pjesë nëpër seanca, pasi nuk ishin shqyrtuar prova që kishin lidhje me klientin e tij. Sipas avokatit, interes për të kishte pasur vetëm shqyrtimi i atyre çfarë kishte thënë Geci gjatë hetimit. “Nëse do i besohej Gecit, në burg tashmë bashkë me ne, do ishit edhe juve avokat”, i tha me humor i akuzuari Rexha, duke vazhduar se Geci ishte shkaku që ata ishin në pranga.Procesi Pas pyetjes së Sokol Olldashit, ministrit të Transporteve si dëshmitar, procesi në ngarkim të dy vëllezërve Rexha dhe nipit të tyre të largët, Brahim Geci ka shkuar drejt fundit. Tashmë pritet që seancën e ardhshme ata të japin deklarimet përfundimtare, duke iu bërë një përmbledhje provave të shqyrtuara, për të kaluar një seancë më pas në pretencën e Prokurorisë. Hetimi për Rexhajt përfundoi 10 muaj pas arrestimit të tyre, ndërsa procesi gjyqësor ka nisur që nga 11 shtatori i vitit 2006, datë prej së cilës janë zhvilluar 52 seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Olldashi, “fishek” i fundit për Abedin dhe Qamil RexhënTIRANE - Ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi ish-ministër i Brendshëm u thirr në këtë proces me kërkesë të vetë të pandehurve, të cilët pretenduan që nga momenti i arrestimit se mbrëmjen, pas të cilës u zhduk mjeku Behar Kastrati, ndodheshin me të në një kafe në Shijak ku po festonin fitoren. Kjo alibi e të pandehurve, sipas tyre, do të vërtetohej nga dëshmia e Olldashit. Këtë pretendim ata e paraqitën në gjykatë që nga përballja e parë me togat e zeza në fillim të nëntorit 2005 në seancën e masës së sigurisë. Atëherë ata i kërkuan gjykatës t’i linte në qeli deri në përfundim të hetimeve, në mënyrë që mos bëheshin pengesë për Prokurorinë. Ndërsa pas kësaj ata pohuan se, atë mbrëmje pas të cilës ndodhi krimi ata kishin qenë me Olldashin dhe me persona të tjerë, duke festuar fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut. Në kohën kur nisi procesi dy vëllezërit Rexha pohuan sërish se, kishin qenë bashkë me Olldashin, ndërkohë paraqitën pretendimin në gjykatë se kërkonin që ai të thirrej si dëshmitar. Përballë kësaj kërkese gjykata argumentoi me anë të një vendimi të ndërmjetëm se fillimisht do të administronte dhe shqyrtonte të gjitha provat e Prokurorisë dhe më pas do të bënte të njëjtën gjë edhe me provat e palës mbrojtëse. Me kërkesë të të pandehurve dhe avokatëve të tyre gjykata thirri dhe pyeti dëshmitarët e kërkuar nga ata, duke përfshirë edhe ish-ministrin e Brendshëm, Olldashi, tashmë ministër i Transporteve. Madje këtë provë, këta, e kishin rezervuar për në fund të procesit në mënyrë që të rrëzonin të gjitha pretendimet e organit të akuzës në ngarkim të tyre. Prokuroria në ngarkim të tyre gjatë procesit ka paraqitur si provë të drejtpërdrejtë deklarimet e Gecit, të dhëna gjatë deklarimeve paraprake, të cilat vetë ky i kundërshtoi gjatë procesit. Ndërsa provat e tjera në ngarkim të dy vëllezërve Rexha i implikojnë ata nëse do shqyrtohen në tërësi dhe kompleksitet me njëra-tjetrën.                        f.m.Shkaku i krimitSipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, shkak për vrasjen e mjekut Behar Kastrati nga dy vëllezërit Abedin dhe Qamil Rexhaj ishte vdekja e një vëllai të tyre në vitin 1994 në spitalin e Hasit, ku Kastrati ishte mjek roje. Sipas Prokurorisë, këta e kanë ekzekutuar mjekun në shenjë hakmarrje, duke e akuzuar atë si shkaktarin e humbjes së vëllait.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›