Zjarri që dogji vëllezërit, nga dritat
• Zjarri në banesën e dy vëllezërve të mitur Renato e Klezart Preni është shkaktuar nga energjia elektrike.Dashamir Biçaku Ky është versioni i hetimeve të policisë për shkakun e ngjarjes, i mbështetur edhe nga dëshmitë e të afërmve të viktimave. Dy fëmijët, 13 dhe 15 vjeç, humbën jetën në spital tri ditë më parë, pasi shtëpia e tyre mori flakë dhe ata pësuan djegie të shumta, derisa arritën të dalin nga dritarja e katit të dytë. Të afërmit e familjes Preni janë shprehur se para se të vdisnin në spital, nga rrëfimet e fëmijëve kishin mësuar se, në orën 19:00 të së dielës në banesë nuk ka pasur drita. Për këtë shkak, dy fëmijët kishin rënë të flinin më herët se zakonisht, edhe pse donin të shihnin televizor. Dy orë më vonë, pas rikthimit të energjisë elektrike, ata kanë dëgjuar kërcitjet e trarëve të shtëpisë që digjeshin. "Hapa sytë dhe pashë të rrëzohej një nga trarët e shtëpisë në tavan. U ngrita menjëherë, shkova mora vëllain dhe po mundoheshim të dilnim nga dritarja". Kështu mësohet t'i ketë thënë Klezart Preni, xhaxhait të tij në spital, ndërsa luftonte me vdekjen. Sipas të afërmve të vëllezërve të vdekur, mbërritja e dritave me tension më të lartë se normalisht ka shkaktuar goditje në rrjetin e amortizuar elektrik të shtëpisë së vjetër. Kjo ka shkaktuar shkëndijat e para, që më pas ushqyen zjarrin që dogji plotësisht banesën. Pas ngjarjes, xhaxhallarët dhe dajat e dy vëllezërve, kanë lajmëruar babanë e fëmijëve, Sotiraq Prenin, që prej disa muajsh kishte mbërritur në Greqi për të punuar. Bashkë me të ka qenë edhe djali i tij i madh, Indriti, që ka pranuar të tregojë dje për gazetën "Panorama", tragjedinë e ndodhur në familjen e tij. Si e morët vesh ngjarjen e rëndë në shtëpinë tuaj?Isha në shtëpi bashkë me babanë. Më mori në telefon xhaxhai dhe më tha se duhej të niseshim për në Shqipëri. U çudita pak, sepse unë kisha vetëm pak muaj që kisha mundur të shkoj atje. Me këtë përgjigje iu ktheva edhe xhaxhait, por ai më tha se djemtë nuk ishin mirë. Menjëherë mora dajën që ishte në Shqipëri. Ai më tha se Keli dhe Renato ishin sëmurë. I rashë telefonit të mamasë, por nuk përgjigjej. Më pas telefonin e mamit ma hapi daja. Ai më tha se ata nuk qenë mirë. Kuptova se diçka kishte ndodhur. Më pas u nisëm direkt me një taksi në drejtim të Shqipërisë. Kur e mori vesh babai juaj vdekjen e dy djemve?Në Greqi binte shi i dendur dhe ne ecëm shpejt. Kaluam pa problem kufirin, pasi policia na mori gjeneralitetet. Deri në këtë kohë babai nuk kishte marrë vesh asgjë. Kur mbërritëm në afërsi të Tepelenës, na morën në telefon. Daja na tha se Klezarti kishte ndërruar jetë. Babai e kuptoi dhe i ra të fikët. Qëndruam pak momente dhe më pas ai e mori veten. Kur mbërritëm në Kavajë na thanë edhe për vëllain tjetër, Renin. Aty ne qëndruam më të kujdesshëm dhe ai nuk mori vesh gjë. Kur mbërritëm në Tiranë gjithçka ishte gati për varrimin.Kur ke folur për herë të fundit me vëllezërit?Pata folur me Kelin para dy javësh. E mora në telefon, sepse më pati thënë se do të nisej edhe ai për në Greqi. I premtova se në verë do të bëja gjithçka që ta merrja dhe ai u bind.STREHIMIPrej tri ditësh familja e Sotiraq dhe Pranvera Prenit ka mbetur pa strehë e pa banesë dhe pa asnjë orendi shtëpie, pas djegies së shtëpisë së tyre nga zjarri të dielën në mbrëmje. Vëllezërit e Pranvera Prenit në formë ndihme për familjen e motrës së tyre kanë dhuruar një sipërfaqe toke prej rreth 500 metrash katrorë, që ata të ndërtojnë shtëpinë e tyre në lagjen nr.6 të Kombinatit. NGJARJADy vëllezërit që humbën jetën si pasojë e djegieve të marra prej zjarrit që ra në shtëpinë e tyre në Kodër-Sharrë, ndodheshin të vetëm në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Nëna e tyre, bashkë me vëllain tjetër më të vogël, ndodhej tek vëllai i saj. Shkak për këtë lëvizje të nënës së viktimave ishte bërë fakti se djali i vogël ishte sëmurë prej disa ditësh.Digjet në shtëpi 80-vjeçarja, harroi batanijen mbi reflektorTIRANE- Gruaja e moshuar digjet në shtëpinë e saj, pasi kishte harruar ndezur reflektorin dhe kishte vënë për t'u tharë pranë tij një batanije të lagur. Adile Stepa, 80 vjeçe, banuese në rrugën e Barrikadave, pranë 9-katësheve në Tiranë, ka mbetur e vdekur për shkak të asfiksisë së dioksidit të karbonit dhe djegieve të rënda që kishte marrë në trup. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, kur të afërmit e kanë gjetur gruan të vdekur në banesën e saj në një pallat tek 9-katëshet pas kafe "Europa". Policia dhe zjarrfikëset që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në mëngjes, sapo kanë marrë vesh lajmin kanë nisur përpjekjet për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar të dëmtuarit. Me gjithë përpjekjet e policisë dhe të zjarrfikëseve për të shpëtuar gruan e moshuar, ajo kishte ndërruar jetë disa orë më parë. Zjarrfikësit kanë shuar flakët dhe më pas kanë nisur punën për të zbardhur shkakun e ngjarjes. Sipas policisë, nga verifikimet e kryera është mësuar se shkak i zjarrit në banesë ka qenë ngrohësi elektrik me rezistencë që duhet të jetë harruar ndezur nga e moshuara. Kjo e fundit kishte hedhur mbi ngrohës një batanije, por nga temperatura e lartë ka marrë flakë dhe ka djegur dhomën ku ndodhej e moshuara. Pas veprimeve hetimore të kryera, policia ka arritur në përfundimin se ngjarja ishte shkaktuar nga pakujdesia. d.b