“Pranverë 2008” prangos 3 pronarë makinash të vjedhura
• DURRES - Mesditën e së martës policia e Durrësit është angazhuar në një tjetër superaksion, i cili ka vënë në pranga tre shtetas.“Pranverë 2008” bëri të mundur goditjen e tre rasteve të trafikut të mjeteve motorike. Në pranga kanë përfunduar shtetasit Mehmet Shuaipi, Fatbardh Xhakja dhe Myslim Dosti, saktësoi policia e Durrësit. “Tre personat në fjalë, gjatë viteve 2005–2006, duke përdorur dokumente të falsifikuara, i janë shmangur detyrimeve doganore”, bënë të ditur burime zyrtare të policisë së Durrësit. Në cilësinë e provave materiale policia ka sekuestruar autoveturat e tipeve “Audi”, “Mercedes Benz” dhe “Fiat”, të cilat ishin në pronësi të shtetasve të arrestuar. Blutë kanë dyshime të forta se këto mjete janë vjedhur në Itali dhe më pas i janë nënshtruar procesit të falsifikimit të shasisë dhe të dokumenteve të tjera. Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjetet nuk kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet Pikës Kufitare të Portit të Durrësit, siç paraqitet në vërtetimin e hyrjes. Automjetet e tipeve “Audi A3” me targë BY 234 BN, pronë e shtetasit Mehmet Shuaipi, “Mercedes Benz” me targë CD 985 VB, pronë e shtetasit Fatbardh Xhakja dhe “Fiat Bravo” me targa BR 770 YJ, pronë e shtetasit Myslim Dosti, janë dërguar për akt-ekspertim në pikën e bllokimit. “Autoveturat mund të jenë trafikuar në rrugë tokësore nga Mali i Zi”, thanë burimet policore. Materialet procedurale për veprat penale të trafikut të mjeteve motorike, falsifikimit të vulave, stampave apo formularëve dhe të kontrabandës me mallra me regjim të ndërmjetëm, i kaluan Prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme. o.u