KESH: CEZ prej 12 muajsh nuk na paguan detyrimet
Tiranë- Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) në një deklaratë për shtyp sqaron se CEZ Shpërndarje nuk po paguan borxhin ndaj KESH-it duke bërë që ky i fundit të gjendet në vështirësi financiare. Madje duke i quajtur si të pavërteta deklarata e bëra nga CEZ.
Për të sqaruar opinionin publik, KESH bën me dije se borxhi në vlerën e 55 milionë eurove, që së bashku me kamatvonesat kap vlerën e rreth 58 milionë eurove, një debi kjo që njihet edhe nga CEZ Shpërndarje, është krijuar duke filluar nga muaji dhjetor i vitit 2010 e në vijim. Pra, CEZ Shpërndarje ka 12 muaj që nuk i paguan KESH-it energjinë që ai e furnizon dhe që më pas, iu kalon konsumatorëve. Si pasojë e këtyre detyrimeve të papaguara, të cilat CEZ Shpërndarje duhet ti kishte paguar në bazë të kontratës që ka me KESH-in, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ndodhet aktualisht në vështirësi financiare-citohet në deklaratën për mediat të KESH.
Sipas KESH-it klienti i vetëm i tij është CEZ, dhe në rast se ky i fundit nuk shlyen detyrimet, atëherë korporata vendoset në vështirësi të mëdha.
Vlen të theksohet se i vetmi klient që KESH ka është CEZ Shpërnadrje dhe si rrjedhim, shlyerja e detyrimeve nga CEZ është e një rëndësie jetike për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare- citohet në deklaratën e KESH-it.
Po sipas KESH-it, CEZ nuk ka bërë një planifikim vjetor të energjisë. CEZ kërkoi në fillim të këtij viti një konsum vjetor të energjisë prej 4.3 miliardë kilovat orë për furnizimin e vendit. Por sasia e energjisë që KESH ka furnizuar CEZ është 5.2 miliardë kilovat orë deri tani. Kjo do të thotë 900 milionë kilovat orë shtesë mbi kërkesen fillestare.
Sipas KESH-it të dyja kompanitë duhet të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar, dhe të zbatojnë kontrata e lidhura me mirëkuptim të përbashkët.
KESH, ashtu si edhe CEZ Shpërndarje janë kompani që funksionojnë në bazë të kontratave të vendosura me mirëkuptim të përbashkët dhe në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar dhe si të tilla, ato janë të detyruara për t`u respektuar nga të dyja palët- thuhet në fund të deklaratës së Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
Shkrime të tjera me interes: