E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti për kartat, PS: Qeveria, asgjë konkrete për transportin falas të votuesve që do të aplikojnë

Probleme konstatohen edhe përsa u përket ritmeve të shpërndarjes së kartave të identitetit. 470 mijë zgjedhës pa pasaportë ende nuk kanë mundur të aplikojnë për t’u pajisur me kartë identiteti

Shaban Sulçe

Partia Socialiste konstaton se qeveria nuk ka bërë asgjë konkrete për angazhimin dhe premtimin e saj për sigurimin e transportit falas në drejtim të qendrave të aplikimit të shtetasve pa pasaportë, që jetojnë në zonat e thella të vendit. Një raport më i fundit i selisë rozë për çështjen e kartave të identitetit konstaton një sërë parregullsish dhe problematikash që e shoqërojnë këtë proces. ”Një nga premtimet e qeverisë është edhe organizimi i transportit të zgjedhësve nga vendbanimi për në qendrat e aplikimit. Duke ditur pozitën e vështirë gjeografike të komunave të largëta në të gjithë vendin, mungesën e infrastrukturës, të mjeteve të transportit dhe të mjeteve financiare, praktikisht nuk është bërë asgjë nga strukturat qeverisëse dhe ritmet e aplikimit në këto komuna janë shumë të ulëta”, - thuhet në raportin e Partisë Socialiste të hartuar pas mbledhjes së të dhënave që janë raportuar në të gjitha zonat dhe qarqet e vendit.

Votuesit pa pasaportë
Sipas të dhënave në raportin e Partisë Socialiste rezulton se deri më datë 23 prill numri i përgjithshëm i aplikimeve në shkallë vendi arrin në 623 146 veta. Nga ky numër, vetëm 40% janë zgjedhës që janë në listën e Ministrisë së Brendshme pa pasaportë, pra rreth 250 000 zgjedhës. Sipas këtyre shifrave rezulton se 470 000 zgjedhës ende nuk kanë aplikuar për t’u pajisur me karta identiteti, gjë të cilën raporti i selisë rozë e konsideron tepër të vështirë për t’u realizuar deri në datën 28 qershor. Por situata paraqitet më problematike për shtetasit pa pasaportë, të cilët nuk janë përfshirë në listat e shpallura nga Ministria e Brendshme. Sipas raportit, rreth 200 mijë zgjedhësve, të cilët nuk kanë pasaporta në posedim, u mungojnë emrat në këto lista dhe praktikisht pajisja e tyre me karta identiteti dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 qershorit mund të konsiderohet e pamundur. Po sipas raportit, problematike mbetet edhe ritmi i shpërndarjes së kartave të identitetit për shtetasit që kanë aplikuar. Rezulton se deri tani, 180 mijë shtetas, edhe pse kanë aplikuar, nuk janë pajisur me kartë dhe një gjë e tillë ka rritur konfuzionin në zyrat e aplikimit, pasi dihet se në shumicën e rasteve aplikimi dhe shpërndarja e kartave kryhet në të njëjtat ambiente.

Qendrat e aplikimit
Raporti konstaton se me gjithë deklarimin e bërë nga Ministria e Brendshme se zyrat e aplikimit do të jenë të hapura edhe ditët e shtuna dhe të diela, në shumicën dërrmuese të njësive vendore një gjë e tillë nuk zbatohet, duke u justifikuar herë për mungesë organizimi dhe herë për fluks të ulët të aplikantëve. Kjo situatë paraqitet e veçanërisht në njësitë vendore që janë hapur në komuna. Gjithashtu raporti i selisë rozë konfirmon anomali dhe ndërprerje të procesit të aplikimit si rezultat i defekteve teknike, ndërprerjes së internetit apo të energjisë, anomali të cilat ndodhin pothuajse çdo ditë. Ndërkohë konfirmohet se në 60 komuna të vendit ende nuk është hapur asnjë njësi aplikimi dhe nga ky proces rezultojnë më shumë se 45 mijë zgjedhës pa pasaportë të këtyre komunave, të cilëve u është privuar e drejta për t’u pajisur me karta identiteti.

27 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›