E Diel, 1 Nëntor 2026

KESH: TEC-i i Vlorës do vihet në punë për 3 muaj

TIRANE- “TEC-i i Vlorës përfaqëson një konsumator të rëndësishëm të gazit natyror me rreth 250 milionë metër/kub gaz natyror në vit, si nevojë për prodhimin e energjisë elektrike. është i detyruar të punojë me naftë diesel me kosto shumë të lartë dhe për pasojë cmimi i energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës është një cmim i lartë i cili bën që në këtë periudhë ai të trajtohet si një TEC i sigurisë së furnizimit me energji elektrike.“ deklaroi pak ditë më parë kryetari i Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta.

Ndërsa kreu i ERE-s e konsideroi të padobishëm TEC-in e Vlorës për shkak të kostos së lartë prodhimit të energjisë, KESH-i vendos ta verë në punë këtë burim.
Kreu i Korporatës Muharrem Stojku deklaron se TEC-i do të vihet në punë vetëm për 3 muajt e thatësirës dhe energjia që do të prodhohet do të ketë një kosto prej 13 lekë për kilovat /orë.
“është parashikuar që të punojë në muajin gusht , shtator , tetor. Ky TEC do garantojë prodhim për 3 muaj dhe është e gabuar teoria që ky TEC nuk duhet“ u shpreh Stojku.
Kreu i KESH-it bën të ditur se pritet rritje e eksportit të energjisë gjatë ditëve të ardhshme mbi nivelin e 14.5 milionë kilovat/ orëve. Kjo pasi Fierza ndodhet afër kuotës maksimale dhe nëpërmjet rritjes së eksportit do të shmangen shkarkimet.
Vetëm në 3 muajt e parë të këtij viti, KESH ka siguruar nga shitja e energjisë 40 milionë euro dhe 17 milionë euro të tjerë pritet të grumbullohen nga eksporti i këtij muaji. 70 % e këtyre fondeve po përdoren për shlyerjen e borxheve.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›