E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Do padisim njohësit e Kosovës

• "Serbia do të përgatisë një set të ri të lëvizjeve ligjore kundër vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës", ka konfirmuar dje presidenti serb, Boris Tadiç.

 "Qeveria sapo ka dalë në përfundimin se duhet të bëhet një analizë e re nga ekspertë ligjorë", tha ai. Që kur Kosova shpalli pavarësinë, Serbia i ka tërhequr ambasadorët nga vendet që e njohën këtë vendim dhe ka deklaruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Lajmin e ka dhënë i pari Kryeministri serb në largim, Vijosllav Koshtunica, sipas të cilit "kundër vendeve që kanë njohur pavarësinë e kësaj pjese të Serbisë do të hapen çështje në gjykatat ndërkombëtare". Por Kosova vazhdon e qetë procesin e saj të tranzicionit duke hedhur hapa të njëpasnjëshëm për të arritur synimet e saj, integrimin në NATO dhe BE, duke nisur nga Kushtetuta.
Kushtetuta e re
Liderët e Kosovës dhe vëzhguesit nga Bashkimi Evropian thanë se javën e ardhshme do të finalizojnë Kushtetutën për shtetin e ri dhe do të vendosin një datë në gjysmën e dytë të qershorit për transferimin e fuqive nga Kombet e Bashkuara. Miratimi i Kushtetutës i jep Kosovës mundësinë të funksionojë si një shtet i pavarur si nga Serbia, ashtu edhe nga misioni i brendshëm i OKB-së, sipas Muhamet Hamitit, këshilltar i Presidentit Fatmir Sejdiu. Kalimi i fuqive te qeveria e Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në shkurt, do të sinkronizohet me vendosjen e misionit të fortë të BE-së me 2 000 trupa. Një pjesë e vogël e misionit të OKB-së do të qëndrojë për të mbajtur lidhje me minoritetin pakënaqur serb. NATO, që komandon më shumë se 16 000 paqeruajtës në Kosovë, do të lehtësonte mjaft hyrjen e agjencive të drejtuara nga BE në veriun e Kosovës të dominuar nga serbët.
Fronte diplomatike
Një analist amerikan tha se Serbia dhe Rusia po krijojnë një front diplomatik me qëllim për të bllokuar njohjen e Kosovës. Prof. Charles A. Kupchan, në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, ka shprehur besimin e tij se Serbia po përpiqet, më ndihmën e Rusisë dhe vendeve të tjera, të formojë një front diplomatik me qëllim për të kundërshtuar njohjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës dhe të mohojë anëtarësimin e saj në institucionet ndërkombëtare. "Besoj se Beogradi po planifikon një betejë energjetike për të ndryshuar atë që ndodhi disa javë më parë", tha Kupchan në BBC. "Ata po përmendin adre-simin në Kombet e Bashkuara dhe gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë të cilat pritet të shqyrtojnë këtë çështje", tha Kupchan, duke komentuar se qëllimi i Serbisë për të lançuar një iniciativë për asamblenë e përgjithshme të OKB-së nëse pavarësia e njëanshme e Kosovës është në përpurthje me ligjet ndërkombëtare. Deklarata zyrtare se Serbia do të hedhë në gjyq të gjitha vendet që kanë njohur pavarësinë u bë dje nga presidenti serb.

Ambasadori britanik
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, David Blunt, tha se për propozimin e ministrit serb Samarxhiç mbi ndarjen e enklavave serbe, se edhe shumica e ministrave të Qeverisë së Serbisë nuk ishin konsultuar lidhur me këtë propozim. "Eshtë me rëndësi se që nga momenti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk ka pasur probleme dhe konflikte ndëretnike", tha ai.

Takimi i BE
Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian mblidhen sot në Bërdo, pranë Kranjit, në Slloveni, për të diskutuar perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në fokus të takimit do të jenë edhe zhvillimet e fundit në Kosovë. Ministrat pritet ta kundërshtojë çdo përpjekje për ndarjen e Kosovës. Në takim pritet të marrë pjesë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovë, Peter Faith.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›