E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, eksport energjie drejt Greqisë



Situata hidrike e përmirësuar i lejon KESH-it mundësi për të eksportuar energjinë. Nga nevoja për import të sasive të madha të energjisë, tashmë vendi ynë ka nënshkruar kontratë me Athinën zyrtare për eksport të energjisë. Duke nisur nga data 22 janar 2009, KESH-i do të eksportojë energji drejt Greqisë. Kontrata e kësaj marrëveshjeje tashmë është nënshkruar. Drejtori i divizionit të prodhimit, Muharrem Stojku, ka deklaruar dje për mediat se energjia do t’i shitet Greqisë nëpërmjet kompanisë shtetërore të energjisë. Bëhet fjalë për një sasi prej 2 milionë kilovat orë në ditë e cila do të eksportohet duke nisur nga data 22 janar përreth një muaj e gjysmë. Duke nisur nga dita e enjte që do të nisë eksporti i energjisë elektrike drejt Greqisë, ai do të vazhdoje deri rreth mesit të marsit të këtij viti. Burimet zyrtare në KESH bëjnë të ditur se energjia do të shitet me çmimin që është në bursën e Athinës, duke zbritur nivelin e humbjeve në rrjetin e transmetimit. Sipas drejtuesve të korporatës, fillimi i eksportit të energjisë u bë i mundur falë përmirësimit të ndjeshëm të situatës hidrike në vend, për shkak të reshjeve të bollshme.

Shqipëria kryen eksport të energjisë elektrike edhe drejt Kosovës, por në këtë rast bëhet shkëmbim energji. Ne i japim energji Kosovës në pranverë, pasi rritet prodhimi nga reshjet dhe marrim energji gjatë kohës kur na nevojitet. Në fakt, eksporti i energjisë është paralajmëruar prej kohësh nga drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, i cili ka deklaruar se do të eksportohet energji drejt vendeve fqinje me çmimet e tregut evropian.

Ne do të eksportojmë për një periudhë një muaj e gjysmë energji me një sasi prej 2 milionë kilovat orë në ditë, ndërkohë që ne vazhdojmë të importojmë nga ana tjetër 5 milionë kilovat orë në ditë. Zyrtarët e KESH-it, të pyetur për këtë qëllim, kanë dhënë shpjegime edhe për këtë çështje, duke u deklaruar se ky është një detyrim i lidhur në kontratë ndaj palës greke. Nga të dhënat e KESH-it rezulton se niveli i Fierzës ka arritur në 283.6 metra, duke qenë vetëm 6 metra larg kufirit maksimal. Ndërkohë që prurjet e ujit llogariten në rreth 240 metra kub në sekondë. Situata e mirë hidrike ka mundësuar një nivel të lartë të prodhimit të energjisë, që ka arritur në 16 milionë kilovat orë në ditë. Ndërkohë që 5 milionë kilovatë orë të tjerë importohen. Drejtuesit e KESH-it shpjegojnë se importi po vazhdon, pavarësisht se do të nisë eksporti, pasi janë lidhur që më përpara kontratat me kompanitë, të cilat duhet të respektohen. Me tenderin e zhvilluar në fund të dhjetorit, është siguruar importi i gjithë sasisë së energjisë që duhet deri në fund të marsit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›