Kërkesa; Dorëhiqet si kryetar i Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, pranohet nga KLD
Albert Meçe, kryetari i Gjykatës së Tiranës paraqiti dje zyrtarisht para Këshillit të Lartë të Drejtësisë dorëheqjen nga posti i kryetarit. Shkak për këtë dorëheqje është bërë kandidimi i z. Meçe si gjyqtar në Apel, pasi ekzistojnë ende dy vende bosh. Kërkesa e tij u fut në rend dite në mbledhjen e djeshme të KLD-së dhe u pranua me votim dorëheqja. Këshilli i Lartë i Drejtësisë deklaroi në mbledhjen e djeshme mbarimin e mandatit të kryetarit Meçe, si dhe shpalljen e vendit vakant dhe fillimin e procedurës së konkurrimit për këtë funksion drejtues. Deri në emërimin e kryetarit të ri të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Këshilli vendosi që ky funksion të vazhdojë të ushtrohet nga z. Albert Meçe. Në vlerësimin si më të përshtatshëm të këtij qëndrimi, KLD mban parasysh eksperiencën e deritanishme të gjyqtarit Meça në drejtimin e Gjykatës së Tiranës për shkak të dinamikës së lartë të punës dhe problematikat e vazhdueshme që ngrihen pranë dy dhomave të gjykimit, si dhe hapjen rrugë konkurrimit në këtë funksion drejtues në pozita plotësisht të barabarta për të gjithë gjyqtarët që duan të kandidojnë dhe të paraprirë nga delegimi i ndonjërit prej tyre.