Shorti me gogla zgjedh 8 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të Apelit
Procedura e shortit me gogla përzgjodhi dje 8 gjyqtarët që do përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Shorti është zhvilluar në dy faza, pas kontestimeve që patën partitë politike për tre nga tetë emrat e përzgjedhur në fazën e parë. Emrat e kontestuar ishin Bashkim Dedja, Stavri Kallço e Zengjine Sollaku, të cilët gjatë fazës së dytë të shortit u zëvendësuan nga tre gjyqtarë të tjerë, konkretisht Tom Ndrecën, Petraq Koçon e Entela Priftin. Procedura e dy shorteve zgjati rreth 2 orë, pas përzgjedhjes së tetë emrave të parë dhe kohës së kërkuar nga përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjinkuri, i cili kërkoi të paktën 30 minuta kohë për t’u konsultuar me kolegët e partive të tjera politike lidhur me 8 gjyqtarët e përzgjedhur. Gjyqtarët e përzgjedhur gjatë fazës së parë të shortit me gogla ishin Dhurata Haveri, Sashenka Jonuzi, Stavri Kallço, Zengjine Sollaku, Bashkim Dedja, Astrit Kalaja, Meriban Mullaj e Marie Qirjazi. Por, PD, LSI, PR E PS nuk kanë qenë dakord me tre nga këto emra, konkretisht Zengjine Sollakun, Stavri Kallçon e Bashkim Dedjen, për të cilët nuk kanë paraqitur asnjë koment përse kërkohet zëvendësimi. 30 minuta pas konsultimit, emrat e mbetur në kuti i janë nënshtruar sërish procedurës së shortit, ku disa nga anëtarët e KLD-së kanë tërhequr edhe tre gogla të tjera, brenda të cilave ishin emrat e gjyqtarëve Tom Ndreca, Petraq Koço e Entela Prifti. Emrat e përzgjedhur gjatë shortit të dytë nuk janë pranuar nga përfaqësuesit e partive politike të pranishme në votim, duke përcaktuar më në fund listën e 8 gjyqtarëve që do përbëjnë Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit. Sot, tetë gjyqtarët do të bëjnë betimin para Presidentit të Republikës.
Shorti
Një numër i madh i është nënshtruar dje procedurës së shortit me gogla, me qëllim përzgjedhjen e 8 gjyqtarëve që do të përbëjnë Kolegjin Zgjedhor në Gjykatën e Apelit. Shorti u hodh në ambientet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku të pranishëm kanë qenë përfaqësues të dy partive politike më të mëdha të opozitës dhe dy partive politike më të mëdha të pozitës. Drejtuesit politikë të këtyre katër partive kanë dërguar si përfaqësues Njazi Kosovrastin dhe Arian Madhin nga PD e PR, ndërsa Spartak Brahon e Damian Gjiknurin nga LSI e PS. Nënkryetari i KLD-së ka shpjeguar procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve konkurrues, si dhe procedurën e shortit dhe pas hedhjes së tij. Z. Spahiu u ka kujtuar përfaqësuesve të partive politike se kanë të drejtë kontestimi për emrat që do të dalin nga shorti, në rast se nuk janë dakord. Para fillimit të procedurës së shortit, përfaqësuesi i PS-së, Damian Gjinkuri, kërkoi të sqarohej nga nënkryetari Spahiu sa gjyqtarë janë përjashtuar nga votimi dhe cilët ishin emrat dhe arsyet. Sipas Spahiut, për shkak të procedimeve disiplinore ndaj tyre, janë përjashtuar nga konkurrimi 2 gjyqtarë, emrat e të cilëve nuk mund të bëheshin publikë për shkak të etikës. Më pas, një nga një, disa prej anëtarëve të Këshillit tërhoqën tetë gogla, të cilët mbanin tetë emra gjyqtarësh brenda, tre prej të cilëve u kontestuan nga përfaqësuesit e partive politike. Në përfundim të përzgjedhjes së tetë emrave për në Kolegjin Zgjedhor, KLD i delegoi ata menjëherë në detyrë në funksionin e posaçëm të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë. Procedura kërkon gjithashtu që 45 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, zv.kryetari i KLD-së duhet të mbledhë Kolegjin Zgjedhor, duke e lënë në punë deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor.
Gjyqtarët e përzgjedhur për Kolegjin Zgjedhor, Apel
Dhurata Haveri
Sashenka Jonuzi
Astrit Kalaja
Meriban Mullaj
Marie Qirjazi
Tom Ndreca
Petraq Koço
Entela Prifti
U kontestuan dhe u zëvendësuan
Stavri Kallço
Zengjine Sollaku
Bashkim Dedja
Detaj
53 ishin gjyqtarët e gjykatave të Apelit në gjithë vendin, që iu nënshtruan konkurrimit për Kolegjin Zgjedhor në Gjykatën e Apelit
2 ishin gjyqtarët e përjashtuar nga votimi për shkak të procedimit disiplinor nga KLD
24 orëve nga zgjedhja, tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor bëjnë betimin e tyre para Presidentit të Republikës
45 ditë përpara zhvillimit të zgjedhjeve, zv.kryetari i KLD-së duhet të mbledhë Kolegjin Zgjedhor, duke e lënë në punë deri në përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor
Neni 146
Sipas pikës 3 të nenit 146, secila prej partive parlamentare ka të drejtën të eliminojë një anëtar nga shorti i përzgjedhur. Ndërsa asnjë prej partive nuk mund të shprehë kontestime për emrat që eliminohen nga procesi
Neni 148
Në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Kolegjit, nuk përfshihen gjyqtarët: kur është vendosur fillimi i çështjes penale; është në fuqi një masë disiplinore dhe është filluar procedim disiplinor